Lidhje

Panetta shpreh shqetësim për dhunën në Gaza


Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Leon Panetta shprehu shqetësim rreth përshkallëzimit të dhunës në Rripin e Gazës, ku Izraeli kreu edhe një ditë tjetër sulmesh ajrore në përgjigje të raketave të hedhura nga ekstremistët në Izraelin jugor. Zoti Panetta i bëri këto komente në një interviste ekskluzive me korrespondentin e Zërit të Amerikës pranë Pentagonit, Luis Ramirez gjatë vizitës së tij në Azinë juglindore.

Sekretari Panetta ndodhet në Azi, për të njoftuar planet për përqëndrimin e forcave në rajonin e Azi-Paqësorit, por vemendja e tij është tërhequr nga ngjarrjet në Lindjen e Mesme. Dje, ai u informua rreth situates në Gaza para se t’i jepte një intervistë ekskluzive Zërit të Amerikës.

“Kurdoherë që shpërthen dhuna në Lindjen e Mesme, ajo është shkak shqetësimi sepse kurrë nuk dihet se ku do të përfundojë. I kuptoj arsyet e veprimeve të Izraelit”.

Gjatë vitit të fundit, Izraeli është goditur nga gati 800 raketa nga Gaza dhe është përgjigjur me sulme ajrore. Gjatë intervistës për Zërin e Amerikës lidhur me një game të gjerë çështjesh, Sekretari Panetta tha se dhuna nënvizon nevojën për një zgjidhje afat-gjatë të konfliktit izraelito-palestinez.

“Ne shpresojmë që ata të minimizojnë vdekjet mes civilëve, që mund të ndodhin. Por në fund të fundit, shpresoj që të gjitha palët ta kuptojnë se kjo nuk është mënyra për zgjidhjen e problemeve të Lindjes së Mesme. Shpresoj të rifillojnë negociatat për një marrëveshje të përhershme paqeje mes Izraelit dhe palestinezëve dhe të arrihet një paqe më e përhershme në rajon”.

Një shqetësim tjetër për zotin Panetta është Siria, ku sulmet matanë kufirit kanë bërë që Turqia të kërkojë nga NATO-ja raketa Patriot për t’i dislokuar përgjatë kufirit sirian. Zoti Panetta tha se Shtetet e Bashkuara mbështesin këtë kërkesë dhe se bisedimet me Turqinë kanë filluar.

“Ata kanë kërkuar ndihmë që ne të bashkëpunojmë me Turqinë për t’i dhënë atij vendi një farë kapaciteti të mbrojtjes nga raketat. Ne po punojmë me ta dhe shpresojmë që t’u sigurojmë këtë lloj ndihme”.

Shtetet e Bashkuara kanë përshëndetur krijimin e një koalicioni nga opozita siriane, por nuk furnizuan me armë kryengritësit, që luftojnë kundër qeverisë së Bashar al-Asadit.
Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton njoftoi të mërkurën një ndihmë shtesë humanitare prej 30 milion dollarësh për sirianët e prekur nga luftimet.
XS
SM
MD
LG