Lidhje

I dyshuari i nëntë për sulmet e Parisit nën arrest


Autoritetet belge ngritën akuza ndaj një të dyshuari të nëntë lidhur me sulmet terroriste të 13 nëntorit në Paris, thanë prokurorët federalë në një deklaratë të enjten.

Personi, i identifikuar si Abdoullah C., shtetas belg i lindur në vitin 1985, u arrestua të martën në Bruksel me akuzën e "vrasjeve terroriste dhe pjesëmarrje në aktivitetet e një organizate terroriste," thuhet në deklaratë. Arrestimi ishte mbajtur i fshehtë për të mos ngjallur alarm te bashkëpunëtorët e mundshëm.

Abdoullah C. mendohet se ka kontaktuar disa herë nëpërmjet telefonit, me një kushërirë të personit që dyshohet si organizator i sulmeve, Abdelhamid Abaaoud, thuhet në deklaratë. Abaaoud dhe kushërira e tij, e identifikuar si Hasna Ait Boulahcen, u vranë në një operacion të policisë në Saint Denis të Parisit, pak ditë pas sulmeve.

Policia në Belgjikë ka ndaluar pesë persona, duke përfshirë edhe dy vëllezër, gjatë bastisjeve të hënën lidhur me sulmet e Parisit.

Autoritetet nuk kanë identifikuar asnjë prej personave të ndaluar dhe thonë se nuk kanë gjetur eksplozivë apo armë në asnjërën prej bastisjeve.

Sulmet e 13 nëntorit në Paris lanë 130 të vdekur dhe më shumë se 300 të plagosur.

XS
SM
MD
LG