Lidhje

Shkup: 100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë


Berisha, Thaci, Rama ne Shkup
Berisha, Thaci, Rama ne Shkup
Mijëra shqiptarë morën pjesë mbrëmë në një manifestim në Shkup për njëqind vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë. Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe ai i Kosovës Hashim Thaçi folën për rëndësinë e kësaj feste, për rëndëisnë e bashkimit dhe për sakrificat e shqiptarëve në trojet e tyre. Manifestimi u përcoll edhe me paraqitjen artistike të grupeve dhe këngëtarëve të njohur nga Shqipëria dhe Kosova.
Kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi elektrizuan atmosferën në sallën e madhe prej disa mijë shqiptarësh në Shkup të ardhur edhe nga Tetova, Kumanova dhe qendra të tjera për të marrë pjesë në manifestimin madhështor të shënimit të njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.
Qindra nxënës paraprakisht kishin dalur me flamuj për t’i pritur dy kryeministrat në pikëkalimin e Bllacës në kufi me Kosovën.
Përveç zotërinjve Berisha dhe Thaçi, në këtë manifestim qendror në Shkup ishin të pranishëm edhe kryetari i LSI-së Ilir Meta, zëvendëskryeministrat e Kosovës Hajredin Kuçi dhe Behgjet Pacolli, politikanë nga Mai i Zi e Presheva dhe personalitete të tjera të jetës publike.
Zoti Berisha uroi shqiptarët për këtë 100 vjetor të pavarësisë duke theksuar se ata festojnë bashkë:
“Sot shqiptarët festojnë bashkë. Shkupi, Prishtina e Tirana festojnë bashkë 100 vjetorin e Pavarësisë”. Sot lavdi zotit dhe armëve tona, ndjehuni të lirë, festojmë të bashkuar, të sigurt drejt së ardhmes sonë. Pavarësisht çfarë përjetuam, kemi motive për të qënë krenarë me njëri-tjetrin, me trojet tona me flamurin tonë, për të pasur besim tek e ardhmja”, tha kryeministri Berisha.
Ai kërkoi nga të gjithë shqiptarët që të ecin përpara për t’u bashkuar në Evropë.
“Këtu nga Shkupi i bëj thirrje shqiptarëve, të punojnë çdo minutë, orë, muaj, vit për bashkimin e tyre. Iu bëj thirrje fëmijëve tanë, fqinjëve tanë, përpiquni të kuptoni drejt bashkimin e shqiptarëve, ta bëni më të lirë, më të drejtë, se shqiptarët janë të gatshëm për bashkëpunim, shqiptarët e lirë janë forcë zhvillimi për veten dhe rajonin. Askush të mos druhet dhe askush të mos hidhërohet nga përpjekjet e shqiptarëve për bashkimin. Nën moton të bashkohemi me Europën, të bashkohemi me njëri-tjetrin, t’i përqendrojmë forcat tona, drejt realizimit të kësaj ëndërre”, tha z. Berisha.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi theksoi kontributin e ushtrive çlirimtare të Kosovës dhe të Maqedonisë për lirinë dhe të drejtat e shqiptarëve në këto vise; Sot shqiptarët kudo festojnë kuq e zi, tha ai:
Më lejoni që në fillim të përkujtojmë bashkëudhëtarët dhe luftëtarët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës dhe të shqiptarëve në Maqedoni. Jemi sonte në Shkup në vilajetin e Kosovës dhe secili prej nesh duhet të mendojmë të kutjojmë ku ishim para 13 vitesh. Ndodhi mrekullia që lindi prej vullnetit të shqiptarëve, lindi Ushtria Çlimtare e Kosovës dhe arriti ta largojë Serbinë nga Kosova, ndaj ajo është e lirë dhe sovrane. Mrekullia UÇK është një mrekulli e vullnetit të shqiptarëve të Kosovës, por ajo u fuqizua nga mbështetja e të gjithë shqiptarëve kudo që ndodheshin, Maqedoni, diasporë, Shqipëri. UÇK bashkoi shqiptarët”, tha kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.
Në manifestim foli edhe Ali Ahmeti, kryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili tha se festa si kjo nuk bëhet për inat të askujt dhe nuk duhet të provokojë bashkëqytetarët maqedonas.
Me të arritur në Shkup, kryeministrat Sali Berisha dhe Hashim Thaçi dhe drejtuesit tjerë politik vendosën kurora lulesh para shtatores së atdhetarit Hasan Prishtina, të ngritur vem para pak javësh në pjesën e vjetër të qytetit të Shkupit
XS
SM
MD
LG