Lidhje

Një grup ish të dënuarish politikë takim me presidentin Nishani


Takimi u ndërmjetësua nga ambasadori i BE-së dhe SHBA-së; Grevistët: “Nuk u arrit zgjidhje. Hapur mundësia për bisedime të mëtejshme”

Në Shqipëri, një përfaqësi e ish të dënuarve politik të cilët prej tre javësh kanë nisur një grevë urie për të kërkuar shpërblimin financiar për vitet e kaluara në burgjet e diktaturës komuniste, u pritën në një takim nga presidenti Bujar Nishani. Takimi u ndërmjetësua nga ambasadori I Bashkimit europian dhe ai amerikan në Tiranë dhe përfaqësuesit e tyre ishin të pranishëm edhe gjatë bisedimeve. Ish të dënuarit u shprehën të kënaqur që së paku u la hapur një shteg për dialog. Po sot dy ish të dënuarit të cilët tentuan vetflijimin u dërguan për kurim jashtë shtetit falë ndërhyrjes së partisë socialiste


Kur cdo mundësi dialogu dukej e mbyllur pas deklarimeve të prera të kryeministrit Sali Berisha se greva e ish të dënuarve të regjimit komunist ishte politike, një sinjal shprese u ndez sot. Falë ndërhyrjes së ambasadorit të Bashkimit europian Ettore Sequi dhe atij amerikan Alexandër Arvizu, një përfaqësi e grevistëve u pritën në takim nga presidenti Bujar Nishani.

"Eshtë një sinjal pozitiv në vazhdimësinë e plotësimit të kërkesave tona. Presidenti u tregua i vëmendshëm, shfaqi të gjithë interesin e tij rreth kërkesave që parashtruam. Dhe pamë nga ana e presidentit predipozicionin e tij si institucion për t’I ardhur në ndihmë zgjidhjes së kërkesave që kemi bërë", deklaroi pas takimit Fatmir Lamaj. Sipas tij nga bisedimet u la hapur një mundësi për vazhdimin e dialogut: "Aktualisht nuk mbërritëm në përfundim. Presidenti i mbajti shënim kërkesat tona dhe la të hapur shtegun e bisedimeve të mëtejshme".




Nga ana e tij presidenti Bujar Nishani, në njoftimin mbi takimin kërkoi “shmangien e akteve ekstreme” dhe “përdrorimin politik të grevës” duke shprehur “bindjen se çdo zgjidhje duhet të kalojë përmes zbatimit të legjislacionit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë si një mundësi rehabilitimi social për këtë shtresë dhe jo thjesht si dëmshpërblim monetar”.

Kreu i Shtetit njoftoi se do të ndërmarrë “nismën për ndjekjen në vijimësi të procesit të zbatimit të ligjit për kompensimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe për këtë do të kërkojë informacion të vazhdueshëm nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë për zbatimin e këtij ligji”.

Grevistët thanë se protesta e tyre do të vazhdojë. Situata u acarua sërish pasdite kur sipas grevistëve forcat e policisë kanë hyrë në tenda duke hequr prej andej shishet me pije. Ish të dënuarit thanë se pas kësaj ata do të nisën atë që e quajtën greva e vdekjes, dukë refuzuar edhe pirjen e ujit.

Ndërkaq sot dy grevistët që tentuan vetflijimin duke i vënë flakën vetes, u nisën për kurim jashtë vendit. Partia socialiste njoftoi se kjo u bë e mundur me ndërhyrjen e tyre, dhe falenderuan autoritetet greke dhe italiane “që morën përsipër kurimin” e dy ish të dënuarve politik. Gjergj Ndreca u transportua gjatë ditës drejt Greqisë, ndërsa Lirak Bejko i cili ndodhet në gjendje me të rëndë shëndetësore u transportua me një avion sanitar privat drejt Barit të Italisë.
XS
SM
MD
LG