Lidhje

Veprimet ruse në Siri shqetësojnë Ankaranë dhe Uashingtonin


Rusia deklaroi se ka përdorur katër anije luftarake në Detin Kaspik për të qëlluar me raketa objekte të Shtetit Islamik në Siri. Njoftimin e bëri Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu, ndërkohë që Moska po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe Turqinë, pas kritikave për fushatën ruse në Siri. Shtetet e Bashkuara shprehen se nuk do të ketë bashkëpunim për sa kohë që Rusia vazhdon operacionet aktuale, që ata thonë se nuk kanë në shenjestër Shtetin Islamik por po godasin kundërshtarët e Assadit.

Operacionet ruse në Siri po ndiqen me shqetësim nga Shtetet e Bashkuara. Sekretari i Mbrojtjes Ash Carter hodhi poshtë zërat se Shtetet e Bashkuara po bashkëpunojnë me Rusinë në luftën kundër ISIS në Siri. Shefi i Pentagonit, i cili ndodhet në Evropë për takime pune në Spanjë, Bruksel, Britani dhe Itali, i bëri komentet në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologen italiane Roberta Pinotti:

"Në përgjigje të aludimeve në media se koalicioni anti-ISIS po bashkëpunon me rusët në Siri, po e them dhe e kam thënë edhe më parë se ne besojmë që Rusia po ndjek strategjinë e gabuar. Ata vazhdojnë të godasin objektiva që nuk kanë lidhje me ISIS. Pavarësisht nga deklaratat e tyre, ne nuk kemi rënë dakord të bashkëpunojmë me rusët për sa kohë që ata vazhdojnë të ndjekin një strategji të gabuar dhe të godasin këto objektiva”. - tha Sekretari Carter.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbajnë të hapura linjat e komunikimit me Rusinë lidhur me procedurat e angazhimit, për të shmangur incidente gjatë operacioneve ajrore.

Veprimet ushtarake të Moskës në Siri kanë krijuar tensione të reja mes Uashingtonit dhe Moskës. Dy vendet kanë mospajtime edhe lidhur me të ardhmen e Sirisë pas vendosjes së paqes. Rusia mbështet Presidentin aktual sirian, ndërsa Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se tranzicioni politik në Siri nuk do të përfshijë Bashar al-Asadin.

Ndërkohë që Rusia vazhdon inkursionet ajrore në Siri për të goditur objektiva të ISIS, Turqia ka shprehur revoltim që në disa raste avionët rusë kanë shkelur hapësirën ajrore të Turqisë.

Kryeministri turk Ahmet Davutoglu tha se goditjet ajrore ruse kanë dobësuar fushatën ndërkombëtare kundër ISIS. Ai paralajmëroi se Turqia nuk do të kompromentojë sigurinë e kufijve të saj, duke iu referuar dy incidenteve kur avionë rusë u futën gjatë fundjavës në hapësirën ajrore turke. NATO e hodhi poshtë dje shpjegimin e Moskës se incidenti ishte rezultat i një gabimi:

“Nuk duam tensione me Rusinë. Por Turqia gëzon të drejtën të kërkojë nga Rusia që të respektojë hapësirën e saj ajrore, kufijtë e saj dhe interesat turke në Siri”.

“Kriza në Siri nuk është krizë mes Turqisë dhe Rusisë dhe nuk duhet shndërruar në një ballafaqim të tillë. Ne po tregohemi të kujdesshëm që të parandalojmë një gjë të tillë dhe po ashtu duhet të veprojë edhe Rusia,” - tha zoti Davutoglu.

Ministria e Jashtme turke është shprehur se autoritetet janë të hapura ndaj idesë për një takim me zyrtarë ushtarakë rusë në Ankara, për të shmangur përsëritjen e incidenteve të ditëve të fundit.

XS
SM
MD
LG