Lidhje

Vdes Scalia, anëtar i Gjykatës së Lartë të SHBA


Anëtari më afatgjatë i Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara, Antonin Scalia, vdiq mbrëmë në Teksas. Gjykatësi konservator 79-vjeçar ishte emëruar që në vitin 1986 nga Presidenti Ronald Reagan. Presidenti Obama urdhëroi uljen e flamujve në gjysëm shtizë dhe premtoi se do të emërojë pasardhësin e tij, ndërkohë që republikanët kërkojnë që zëvendësimi i gjykatësit të bëhet nga presidenti i ardhshëm. Duke pasur parasysh se Gjykata vendos për çështje delikate dhe me rëndësi jetike për të ardhmen e vendit, pritet që beteja për anëtarin e ardhshëm të saj - që do të përcaktojë edhe nga do të anojë shumica e trupës me nëntë anëtarë - të jetë e ashpër në një emërim që parashikon përzgjedhje nga Presidenti dhe votim në Senat, shumicën e të cilit aktualisht e kanë republikanët.

Gjykatësi Antonin Scalia, i cili njihej për pikëpamjet e tij konservatore, vdiq në gjumë mbrëmjen e së shtunës në moshën 79-vjeçare.

Presidenti Barack Obama e vlerësoi atë si një ndër mendjet më të ndritura ligjore të Amerikës, gjurmët e punës së të cilit spikatën mbi të gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës së Lartë. Presidenti Obama informoi edhe për hapat që synon të ndërmarrë.

“Do të përmbush përgjegjësinë kushtetuese duke emëruar një pasardhës. Kemi kohë të mjaftueshme për ta realizuar dhe që Senati të përmbushë detyrën e tij për shqyrtimin dhe votimin e kandidaturës.”

Kreu i maxhorancës republikane në Senat, Mitch McConnell, shprehu menjëherë kundërshtimin ndaj emërimit të pasardhësit prej Presidentit Obama.

Së bashku me konservatorë të tjerë, zoti McConnell thotë se emërimi duhet të bëhet nga presidenti i ardhshëm i SHBA-së.

“Nëse nuk gjen dot një propozim konsensual, atëherë presidenti i ardhshëm duhet të përzgjedhë zëvendësuesin e Gjykatësit Scalia”, tha senatori republikan Lindsey Graham.

“Unë i marr përgjegjësitë seriozisht dhe kështu duhet të veprojnë të gjithë. Ato janë mbi partitë. Janë të rëndësishme për demokracinë dhe për institucionin të cilit Gjykatësi Scalia i dedikoi jetën e tij profesionale për t’u siguruar që do të vazhdojë të funksionojë si një fanar i demokracisë, siç dëshironin themeluesit e kombit amerikan”, u shpreh presidenti Obama.

Vlerësim të lartë për zotin Scalia u shprehën nga i gjithë spektri politik amerikan, përfshirë ish-Presidentët Bill Clinton dhe George W. Bush. Flamuri amerikan ndodhet sot në gjysëm shtizë në ndërtesën e Gjykatës së Lartë dhe në ndërtesat federale, në nderim të Gjykatësit Antonin Scalia.

Gjykata e Lartë përbëhet prej nëntë gjykatësish, por ajo mundet të marrë vendime gjyqësore edhe me tetë anëtarë. Deri mbrëmë, Gjykata përbëhej nga pesë anëtarë konservatorë dhe katër liberalë. Emërimi i pritshëm i një anëtari të ri liberal prej Presidentit Obama do të ndryshojë balancën e institucionit më të lartë kushtetues të Shteteve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG