Lidhje

SHBA: Reagimi i imigrantëve pas zgjedhjeve


Los Anxhelosi ka një prej popullatave më të mëdha dhe më të shumëllojshme imigrante në Shtetet e Bashkuara. Njerëz nga Amerika Latine dhe vendet e Paqësorit jetojnë në këtë zonë. Elizabeth Lee vizitoi zona të banuara nga imigrantë në gjithë Los Anxhelosin për të marrë reagimin e tyre pas rizgjedhjes së presidentit Obama edhe për 4 vjet në Shtëpinë e Bardhë.

Mund të duket si një ditë e zakonshme pune në Los Anxhelos, por e ardhmja është tani pak më e mirë për imigrantin dhe studentin nga Filipinet, Justin DeToro.

“Kostoja e studimeve po rritet, prandaj jam i shqetësuar rreth së ardhmes. Por rizgjedhja e presidentit Obama më jep më shumë shpresa”.

DeToro, si shumë imigrantë në Los Anxhelos, nuk ka dokumenta dhe si rezultat nuk mund të përfitojë nga ndihmat federale për arsimin dhe nuk mund të punojë në vend ligjërisht. Këta imigrantë mbështesin Presidentin Obama dhe shpresojnë që ai të zbatojë reforma imigracioni gjatë 4 vjetëve të ardhshëm.

“Ai arriti miratimin e ligjit “Dream Act”, i cili lejon të gjithë studentët imigrantë të pajisen me dokumentat ligjore.”

Ndërsa imigracioni është një çështje e rëndësishme për popullatën hispanike, Sarah Martinez dhe shumë imigrantë nga vende të tjera shohin një tjetër çështje si përparësia kryesore e Presidentit Obama.

“Mbi të gjitha ekonomia. Ai duhet të bëjë diçka për të përmirësuar ekonominë”.

“E di që do të jetë e vështirë, por shpresoj që të bëhet përparim”.


Peter Wang votoi për Mitt Romney-in.

“Shpresoja që të kishim ndryshim; që pas 4 vjetësh Shtetet e Bashkuara të udhëhiqeshin me një perspektivë tjetër.”

Por Peter Wang thotë se nuk është tëpër i zhgënjyer nga humbja e kandidatit të tij të preferuar. Ai shikon një përfitim tek rizgjedhja e zotit Obama, veçanërisht në arenën ndërkombëtare.

“Ai është presidenti i parë afrikano-amerikan dhe nga pikëpamja racore, bota mund t’i shikojë Shtetet e Bashkuara si një vend me të vërtetë demokratik. Pavarësisht nga raca, kandidatët mund të jenë të bardhë apo afrikano-amerikanë, por të gjithë ata mund të zgjidhen president për sa kohë që kanë mbështetjen e qytetarëve”.

Presidenti Obama do të ketë edhe 4 vjet kohë për të zbatuar politika, që shumë qytetarë dhe imigrantë shpresojnë se do t’i bëjnë Shtetet e Bashkuara një vend më të mirë për vetë ata dhe për fëmijët e tyre.
XS
SM
MD
LG