Lidhje

Gjeopolitika e tubacionit të gazit Rusi-Turqi


Vendimi i Rusisë për të anuluar një tubacion gazi në Bullgari duke preferuar Turqinë po cilësohet nga autoritet turke si një fitore e rëndësishme për Ankaranë në ambiciet e saj për t’u bërë një shpërndarës energjie me rëndësi në rajon. Por ka dyshime në rritje se sa me interes është ky tubacion për Turqinë.

Memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar nga presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk për të ndërtuar një tubacion gazi natyror në Turqi do të mund të ishte një hap i madh në drejtim të arritjes së qëllimit strategjik për Ankaranë, sipas Sinan Ülgen të Institutit Carnegie në Bruksel.

"Potencialisht është shumë i rëndësishëm. Nëse realizohet do t’i jepte një shtysë të madhe aspiratave të Turqisë për t'u bërë një shpërndarës rajonal i energjisë. Turqia dëshiron të mbledhë gaz natyror nga burime të ndryshme dhe ta eksportojë në Evropë, duke e shitur me kushtet e saj tregtare."

Tubacioni i ri do të zëvendësojë tubacionin South Stream me vlerë 45 miliardë, i cili do të kishte shkuar nga Rusia në Bullgari. Zoti Putin fajësoi vonesat nga Sofja për vendimin e tij për anulimin e këtij projekti. Turqia, e cila është e varfër me energji, ka kërkuar prej kohësh të shfrytëzojë vendndodhjen e saj midis vendeve të pasura me naftë e gaz në jug dhe lindje të saj dhe tregut kyç të Bashkimit Evropian. Por eksperti i energjisë Emre Iseri i Universitetit Yasar në Izmir të Turqisë, thotë se është e paqartë se sa do të përfitojë Ankaraja nga një tubacioni i ri gazi rus.

"Kjo varet nga kushtet, sepse Turqia ka një shumëllojshmëri marrëveshjesh energjitike me Rusinë, por në ato marrëveshje Turqia nuk ka mundësi të rishesë, që do të thotë se Turqia nuk mund të fitojë duke shitur gazin rus. Pra, termat e marrëveshjes për ndërtimin e tubacioni janë kritike. Turqia ka ambicje për të qenë një qendër e energjisë në rajon. Pra shpërndarja e energjisë nënkupton më shumë sesa të qenit shtet transit."

Çmimi i gazit rus shihet gjithashtu si një bllokues i mundshëm përparimi. Përveç gazit iranian, gaz rus është më i shtrenjti që Turqia blen. Për të ëmbëlsuar marrëveshjen për tubacionin e ri, zoti Putin njoftoi një ulje prej 6 për qind të çmimit, por zyrtarët turq thonë se kjo nuk është e mjaftueshme. Analisti Ulgen thotë se Moska mund të pranojë kërkesat e Ankarasë pasi tubacioni i ri është i motivuar nga objektiva strategjike dhe ekonomike.

"Rusia dëshiron të krijojë një marrëdhënie më të ngushtë me Turqinë, duke u përpjekur të përdorë lidhjet prej energjisë për ta tërhequr Turqinë larg nga Evropa dhe më afër Rusisë. Kjo me siguri mund të jetë një nga motivet për anulimin e Tubacionit të Jugut për në Bullgari dhe dërgimin e këtij fluksi të madh gazi natyror drejt Turqisë."

Gjatë vizitës shtetërore të zotit Putin në Turqi javën e kaluar, ai e përshkroi Turqinë si një "partner strategjik". Analistët theksojnë se të dy presidentët, ai rus dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan i Turqisë, duket të jenë të ngjashëm politikisht, pasi kritikohen për tendenca autoritare dhe shpesh kritikojnë vendet perëndimore. Por ka shqetësime në Ankara lidhur me varësinë e saj energjitike, pasi Rusia aktualisht është përgjegjëse për 57 për qind të importeve totale të gazit në vend. Tubacioni i ri i propozuar do të mund të rriste këtë shifër në mbi 70 për qind.

Varësia e energjisë Turqisë duket se do të rritet edhe më shumë se kaq, ndërsa Rusia ndërton stacionin e parë bërthamor të vendit, me 20 miliardët e kostos të financuara me kredi ruse. Eksperti i energjisë Iseri thotë se një varësi e tillë rrezikon të sakrifikojë qëllimet strategjike të Ankara-së.

"Disa analistë përfshirë edhe mua po flasim për një rrezik të dyfishtë, sepse si për gazin natyror dhe për energjinë bërthamore jemi duke u mbështetur tek burimet e Rusisë. Pra, në atë rast do të kishim pasoja të rëndësishme politike në rajon. Turqia dhe Rusia nuk kanë asgjë të përbashkët në rajon. Në rastin e Sirisë, Nagorno-Karabakut, Ukrainës apo Qipros ato kanë qëndrime krejt të ndryshme. Dhe duke u bërë edhe më të varur nga Rusia, do të thotë se perspektivat e Turqisë për t'u bërë një vend me ndikim në rajon nuk janë të mira."

Deri tani Ankaraja ka zbatuar një politikë të përbashkët me Bashkimin Evropian për të pakësuar varësinë nga gazi rus. Ndërtimi i Tubacionit të Gazit Natyror Trans-Anatolian, ose TANAP, që do të furnizojë gaz nga Azerbajxhani për në Turqi dhe BE pritet të fillojë vitin e ardhshëm.

Gjatë një vizite në Baku, ditët e fundit, ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu përsëriti se TANAP-i është prioritet për Turqinë. Analistët thonë se Moska ende ka ende shumë punë për të bërë për të bindur Ankaranë rreth interesit për një tubacion të ri gazi rus.

XS
SM
MD
LG