Lidhje

Ban Ki-Moon, thirrje për dialog politik Rusi-Ukrainë


Indonesia UN
Indonesia UN

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon bëri thirrje për dialog politik midis Rusisë dhe Ukrainës si zgjidhje për krizën në Ukrainë. Ndërkohë, Ukraina e ka akuzuar Rusisë për "agresion të hapur" kundër saj.

"Ne duhet të parandalojmë evolucionin e mëtejshëm të kësaj gjendjeje, të mos lejojmë që kjo të kthehet në një situatë akoma më të brishtë. U kërkoj përsëri, udhëheqësve të palëve të interesuara të angazhohen më shumë për një dialog politik dhe zgjidhje politike," tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon.

Zoti Ban i bëri komentet sot gjatë një ndalesë në Zelandën e Re, një ditë pas deklaratave të udhëheqësit separatist ukrainas Andrei Purgin se është i gatshëm për të diskutuar për një armëpushim dhe për shkëmbimin e robërve.

Purgin, një nga udhëheqësit e republikës së vetëshpallur në Donetsk, komentoi dje në raundin e parë të bisedimeve të paqes në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk.

Andrei Purgin udhëheqës separatist

"Ne erdhëm me propozime fillestare për fillimin e disa këshillimeve dhe më pas një proces negociatash. Ka shumë çështje për të diskutuar si, robërit e luftës dhe misionet humanitare. Me fjalë të tjera, tani do të kemi një shkëmbim të dokumenteve, nga ana e Ukrainës dhe nga ana jonë, një shkëmbim mendimesh, ku ne të mund të kemi disa pika kontakti dhe në një fazë të caktuar të bëhemi bashkëudhëtarë," tha zëdhënësi separatist.

Zoti Purgin dhe separatistët pro-rusë thanë se janë të gatshëm të mbeten pjesë e Ukrainës, nëse u jepet më shumë autonomi.

Po dje, presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko akuzoi Rusinë për "agresion të hapur" ndaj vendit të tij.

NATO-ja vlerëson se në Ukrainë ka të paktën 1.000 trupa ruse. Rusia e ka mohuar këtë në mënyrë të përsëritur.

Një zëdhënës i Ukrainës tha se ushtria i ka urdhëruar trupat ukrainase të tërhiqen nga aeroporti në afërsi të qytetit Luhansk që mbahet nga separatistët, pas një beteje pa sukses kundër një njësie tankiste ruse. Ai tha se që nga e diela janë vrarë shtatë ushtarë ukrainas dhe janë plagosur 25.

Udhëheqësit evropianë e akuzojnë Rusinë se po bën luftë kundër Ukrainës.

Forcat e Ukrainës duket se po përpiqen të sigurojnë qytetin Mariupol në jug-lindje të vendit, pas kërcënimeve të separatistëve pro-rusë se do të përparonin drejt këtij qyteti të madh bregdetar.

Spitalet në Mariupol kanë qenë plot me ushtarë të plagosur.

Ministri ukrainas i mbrojtjes tha se forcat e armatosura të Ukrainës janë duke e zgjeruar strategjinë e tyre nga një luftë thjesht kundër rebelëve separatistë në një përballje me ushtrinë ruse, e cila mund t'i kushtojë vendit "dhjetëra mijëra" jetë njerëzish.

XS
SM
MD
LG