Lidhje

SHBA shpreson të zgjidhë mosmarrëveshjet me Iranin në 2013


Zgjidhja e mosmarrëveshjeve mbi programin bërthamor të Iranit është një nga sfidat më të mëdha të politikës së jashtme në mandatin e dytë të administratës së presidentit Obama. Sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë goditur rëndë ekonominë iraniane por nuk kanë qenë të mjaftueshme për ta shtyrë qeverinë iraniane drejt gjetjes së një zgjidhjeje diplomatike.

Në vitin 2012 janë zhvilluar tre takime të nivelit të lartë mes fuqive botërore dhe Iranit. Por në fund të vitit, të dyja palët nuk kanë arritur afër një zgjidhjeje të çështjes së debatueshme të programit bërthamor të Teheranit. Perëndimi druhet se Irani është duke zhvilluar aftësi për prodhimin e armëve bërthamore. Irani thotë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore.

Pasi fitoi mandatin e dytë, presidenti Obama paralajmëroi se një Iran i pajisur më armë bërthamore është i papranueshëm për Shtetet e Bashkuara. Por ai tha se do të donte që kjo çështje të zgjidhet me mjete diplomatike.

“Duhet të jetë një rrugë, në bazë të së cilës Irani do të përdorte energjinë bërthamore në mënyrë paqësore, duke respektuar detyrimet ndërkombëtare dhe duke siguruar komunitetin ndërkombëtar se nuk ka synime për ndërtimin e armëve bërthamore”.

Një nga kërkesat e Iranit është lehtësimi i sanksioneve. Por, sanksionet amerikane kundër Iranit janë vendosur me ligj dhe përveç lehtësimeve të kufizuara, heqja e tyre është punë e vështirë për presidentin Obama.

William Reinsch ka qenë zyrtar i Departamentit të Tregtisë. Ai tani drejton një shoqatë për nxitjen e tregtisë së hapur.

“Për të bërë ndryshime në ligjin në bazë të të cilit janë vendosur sanksionet kundër Iranit, presidenti duhet të merret me anëtarët e Kongresit, shumica e të cilëve kanë objektiva të ndryshme mbi qëllimin e sanksioneve dhe është më e vështirë për të modifikuar ose për ta hequr këtë ligj se ç’mund të mendojë ai”.

Mes njoftimeve për përgatitjet e Izraelit për një sulm kundër Iranit, kryeministri izraelit Benjamin Natanyahu kohët e fundit ka vendosur 2013-tën si afatë kohor për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë çështje. Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Izraelit të tregohet i duruar.

Shtëpia e Bardhë thotë se nuk synon ndryshimin e regjimit në Iran. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thonë se synimi i tyre kryesor është që programi bërthamor i Irani të mos ketë një dimension ushtarak.

Dipomatët nga fuqitë e mëdha botërore së shpejti pritet të caktojnë një datë dhe vend për një takim tjetër me Iranin.

Shaul Bakhash, profesor i historisë në Universitetin George Mason, thotë se udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, nuk do të bëjë kompromis pa patur më parë lëshime nga ana e Përëndimit.

“Ajatollahu Ali Khamenei nuk do të heqë dorë nga pasurimi i uraniumit, rezervat e karburantit të pasuruar me 20 për qind uranium, nuk do të lejojë inspektime të mëtejshme dhe mbylljen e impiantit Fordo pa patur koncesione nga Shtetet e Bashkuara që ai mund t’i prezantojë si një fitore të madhe për Iranin”.

Profesori Bakhash nuk është optimist se Shtetet e Bashkuara mund t’i pranojnë këto kërkesa, duke e lënë Uashingtonin dhe Perëndimin në një situatë të vështirë lidhur me mënyrën se si mund të ushtrohet më shumë presion ndaj Teheranit.
XS
SM
MD
LG