E enjte, 23 maj, 2013

Lajme / Ballkani

Në VOA, një koleg mbyll karrierën profesionale

x
Madhësia e gërmave - +
Ilir Ikonomi
70 vjetori i Zërit të Amerikës përkon edhe me 70 vjetorin e ditëlindjes së njërit prej kolegëve tanë të Shërbimit Shqip, i cili  së shpejti largohet nga ekipi pas një kariere të larmishme. Ai është Shaqir Salihu, i cili filloi punën në Zërin e Amerikës në fillim të viteve 80, pasi kishte ardhur në Amerikë si refugjat politik nga Kosova.
 


Kur Shaqiri erdhi të punojë për Zërin e Amerikës në Uashington, Shqipëria ishte e izoluar, ndërsa në Kosovë vazhdonte shtypja dhe diskriminimi ndaj popullatës shqiptare.
 
“Në kohën kur unë fillova karrierën time si gazetar, Shërbimi Shqip i Zërit të Amerikës kishte mbetur vetëm me pesë vetë, pasi brezi i parë kishte dalë në pension. Unë pata fatin e madh të punoj në këtë shërbim gjatë disa prej zhvillimeve më të rëndësishme në historinë shqiptare, duke filluar që nga lufta e Kosovës për pavarësi, përmbysja e komunizmit në Shqipëri dhe tranzicioni drejt demokracisë.”
 
Kur Shaqiri filloi punën këtu, Zëri i Amerikës transmetonte vetëm në radio.
 
“Televizioni hyri më vonë, në vitin 1999 dhe kjo ishte një sfidë për të gjithë ne. Teknologjia ishte e re dhe më e vështirë se sa radioja. Unë u bëra producent dhe mu desh të punoja shumë më tepër se më parë. Por puna këtu ka qenë kënaqësi e madhe. Ne gjithmonë jemi përpjekur të ruajmë një nivel të lartë profesionalizmi, që është tipari dallues i Zërit të Amerikës.”
 
Shaqiri thotë se është krenar që po përmbush një mision të gjatë, të cilin ai e quan mbi të gjitha fisnik.
 
“Ndihem me të vëretë i bekuar që kam patur mundësinë të punoj për një institucion që gëzon një shkallë të lartë besueshmerie dhe besnikërie tek shikuesit dhe dëgjuesit. Dua të falenderoj me këtë rast kolegët e mi këtu në Uashington dhe korrespondentët që ne kemi në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi. Për mua ka qenë kënaqësi të punoj me një grup kaq të përkushtuar profesionistësh.”
 
Me një ceremoni plot emocione, me pjesmarrjen e drejtuesve kryesorë të Zërit të Amerikës, kolegët i uruan Shaqirit fat të mbarë tani që ai po mbyll karrierën profesionale. Urime i erdhën edhe nga korrespondentët në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni me të cilët ai punon çdo ditë si producent i emisionit Ditari.
 
Arben Xhixho, shef i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, përmendi disa cilësi që i kanë bërë përshtypje te kolegu i tij:
 
“Për mua është kënaqësi dhe nder i veçantë që kam punuar me Shaqirin për kaq shumë vite. E kam njohur që nga viti 1992. Gjatë gjithë këtyre viteve, që kemi punuar si kolegë te Zëri i Amerikës, dy gjëra më kanë lënë përshtypje të veçantë: e para është përkushtimi i tij ndaj punës dhe e dyta, gatishmëria, vullneti, këmbëngulja e tij për t’u përshtatur me të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në trasnmetimet radiotelevizive gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve të fundit.”
 
Djali i Shaqirit, Ilir Salihu, punon prej disa vitesh në departamentin e teknikës të Zërit të Amerikës dhe shpesh i takon të punojë edhe për programin Ditari, ku Shaqiri është producent. At e bir kanë rast të takohen në punë disa herë gjatë ditës.
 
“Do të më mungojnë drekat që hanim bashkë çdo ditë dhe puna e përditshme krahas tij. Kemi kaluar disa vite bashkë në këtë punë por tani është koha për pension. Ne kemi marrëdhënie shumë të ngushta dhe jetojmë afër kështuqë do të shihemi shpesh.”
 
“Dua t’u uroj gjithë shqiptarëve kudo që janë 100 vjetorin e pavarësisë, që u arrit me aq mund e përpjekje. U uroj gëzuar vitin e Ri 2013, qoftë i mbarë e i suksesshëm për të gjithë", thotë Shaqiri.
Ky forum është mbyllur
Përzgjedhja e komenteve
Komente
     
nga: Beqir Sina nga: Brooklyn - New York
31.12.2012 23:32
Zëri i tij :"Ju flet Zëri i Amerikës nga Uashingtoni! në programin e mbrëmjes i cili i binte në orën 6 të darkës me orën e Shqipërisë dhe në orën 21 sipas orës në Shqipëri, ishte ai zë që vinte nga larg si një mëngjes i bukur i një dite të bukur.

Nuk mund ta numërojë sesa herë e dëgjoja zërin e tij "unë Shaqir Salihu dhe kolegu im ......" teka përcillnin emisionin e radhës që transmetonte Radioprogramin e Zërit të Amerikës seksioni i gjuhës shqip, në barangat e errta mes skamjes dhe frikës se po na dëgjonin dhe muret, teksa isha i "mbuluar me jorgan ose ndonjë batanie të vjetë. Dy emisonet e Zërit të Amerikës ishin e vetmja shpresë dhe nga i mbanim syt unë dhe ata mijëra bashkëvuajtësit e mi në kampet e interrnimit.

Në mëngjes kur behesh apeli (leximi i emrave të të interrnuarve), nuk kishte ditë që të mos përhapej vesh më veshë lajmi se regjimi i Enver Hoxhës së bashku me regjimet e tjera komuniste po binin. Nuk kishte ditë që të interrnuarit të mos merrnin ndonjë lajmë, që u hapte zemrat e lirisë , sepse Zëri i Amerikës për shtresën tonë ishte e vetmja liri që kishim ndërkohë që lajmet e saj ishin oksigjeni dhe ushqimi i përditëshëm i imi dhe i bashkëvuajtësve të mi.


Isha vetëm 6 vjeç kur nga Zëri i Amerikës , xhaxhai i ndjer mori lajmin se të premten më 22 nëntor 1963 u vra Presidenti i SHBA John Kennedy dhe isha 15 vjeç kur plasi skandali i "Watergate" dhe Presidenti Richard Nixon dha dorëheqjen dhe ne sikur na "vdiqen" shpresat mbas asaj vizite historike të të parit Sekretar Shteti në Kinën komuniste të Henry Kissinger.


Zotit Salihu i urojë vite më bukura, më të lumtura dhe më të begatë ndërkohë që trshgëmtarit të tij, dhe kolegëve të tij në Zërin e Amerikës urojë që ta ngrenë më lartë Zërin e këtij programi dhe emrin e kësaj "shtëpie" informacionesh që është e vetmja shpresë e lirisë dhe demokracisë në botë.

Me shumë respekt Beqir Sina
New York - USA

Ditari

Loading
12:00:00 / -:--:--

LAJME

Kosovë: Pesë të arrestuar për krime lufte

Arrestimet janë pjesë e hetimeve për krime lufte kundër popullsisë civile në rajonin e Drenicës në Kosovën qendrore
Më tepër

Uashingtoni pohon përdorimin e avionëve të telekomanduar

Prokurori i Përgjithshëm Eric Holder deklaron në një letër drejtuar udhëheqësve të Kongresit se SHBA kanë vrarë shtetas amerikanë me avionë të telekomanduar në Jemen e Pakistan në vitin 2009
Më tepër

Cameron: Sulmi i ngjan një akti terrorist

Kryeministri britanik shprehu tronditjen lidhur me sulmin e djeshëm në jug të Londrës që la të vrarë një person
Më tepër

AI: Të drejtat e njeriut në Shqipëri dhe Kosovë për 2012

Shqetësimet për Shqipërinë: Dhuna në familje, diskriminimi i komuniteteve rom dhe gay; Shqetësim për Kosovën dhe Serbinë: Marrëveshja nuk merr parasysh të drejtat e njeriut
Më tepër

Fushata elektorale në Gjirokastër

Partitë politike kryesore paraqitën pesë kantidatët për garën e 23 qershorit, duke premtuar projekte për Qendrën Historike dhe hapjen e vendeve të punës
Më tepër

Amerika në 60 sekonda

Loading
12:00:00 / -:--:--

FOTO E DITËS

 

Interaktive