Lidhje

Ligji për të drejtën e votës shton politikanët nga pakicat


Pesëdhjetë vjet më parë, ligjvënësit amerikanë miratuan dhe presidenti Lyndon Johnson nënshkroi ligjin për të Drejtën e Votës. Ligji i ri i dha fund diskriminimit racial në votim, duke u dhënë miliona afrikano-amerikanëve, në shumë pjesë jugore të Shteteve të Bashkuara, mbrojtje federale për të ushtruar të drejtën e tyre për votim. Ligji ishte një moment historik në lëvizjen amerikane për të drejtat civile, duke u dhënë shumë afrikano-amerikanëve dhe anëtarëve të tjerë të pakicave, të drejtën që të bëheshin politikanë. Në këtë segment të serisë së posaçme të Zërit të Amerikës mbi 50 vjetorin e ligjit për të Drejtën e Votimit korrespondenti Chris Simkins na njeh me disa zyrtarë të zgjedhur që pa atë ligj, nuk do të kishin pasur kurrë mundësi t’u shërbenin komuniteteve të tyre.

Ish-kryetarja e Bashkisë së Atlantës, Shirley Franklin flet me admirim për letrat personale të udhëheqësit të së drejtave civile, Dr. Martin Luther King Jr në muzeun e të drejtave civile të qytetit.

“Disa nga letrat janë të shtypura, disa të shkruara me dorë”.

Zonja Franklin drejtoi përpjekjet për të siguruar letrat që dokumentojnë arritjet e Dr. Kingut, si ato për të siguruar të drejtën e votes për miliona afrikano-amerikanë para 50 vjetësh. Ajo e sheh suksesin e saj si rezultat të ligjit për të Drejtën e Votës, që i dha fund diskriminimit racor në qendrat e votimit dhe i hapi rrugën karrierës në shërbimin publik për shumë afrikano-amerikanë.

“Kur isha në universitet, nuk e kisha të drejtën të isha kryetare bashkie e Atlantës. Ishte e pamundur të mendoje se një grua, aq më tepër një afrikano-amerikane do të kishte mundësinë të kishte endrra të tilla. Akti për të Drejtën e Votës e ndryshoi një gjë të tillë”.

“Me këtë ligj, dhjetra, qindra, mijëra afrikano-amerikanë kanë të drejtën të votojnë. Kjo është e rëndësishme edhe përsa i takon forcimit të pozitave të zyrtarëve të zgjedhur afrikano-amerikanë në Shtetet e Bashkuara”.

Profesorja e Shkencave Politike Andra Gillespie thotë se ligji kishte një ndikim të jashtëzakonshëm në rritjen e përfaqësimit të afrikano-amerikanëve në gjithë vendin.

“Në mes viteve 1960 kishim qindra, sot kemi dhjetra-mijëra”.

E drejta e votës, krijoi mundësinë që edhe pakica të tjera të kërkojnë të zgjidhen në vende si Teksasi”. ​

Hispanikët përbëjnë rreth 17 për qind të votuesve në Teksas dhe ky numër po rritet.

Dhe rrjedhimisht edhe numri i zyrtarëve të zgjedhur hispanikë.

“Një nga arsyet që hyra në garë, ishte që të ndihmoja të gjithë banorët e distriktit tim, pavarësisht se cilët ishin”.

Rick Galindo dhe Larry Gonzales janë mes një grupi të vogël por në rritje ligjvënësish republikanë hispanikë në Teksas.

Zoti Gonzales thotë se megjithëse shumë ligjvënës hispanikë janë demokratë, republikanët po fitojnë terren në tërheqjen e simpatizantëve.

“Dhjetra janë zgjedhur në qarqe, dhe borde shkollash. Mendoj se kemi identifkuar dhjetra zyrtarë konservatorë hispanikë që do të ishin ligjvënës të shkëlqyer”.

“Jam mirënjohëse që Amerika e kuptoi se përjashtimi i afrikano-amerikanëve nga sistemi demokratik ishte një gabim që duhej korrigjuar dhe made duhej korrigjuar me një masë madhore dhe jo pak nga pak. Mendoj se Amerika u bë një vend më i mirë, sepse u shpalosën talenti, ëndrrat dhe frymëzimi i miliona amerikanëve dhe na dha mundësinë që të merino pjesë në sistem”.

Demokratët dhe republikanët janë në një mendje se vendi ka bërë shumë përparim në 50 vitet e fundit. Megjithatë kanë mbetur mosmarrëveshje të thella politike për mbrojtjen e integritetit të votës përballë miratimit të kufizimeve të reja për votimin që mund të dëmtojë shanset e pakicave për të shërbyer si udhëheqës në komunitetet e tyre.

XS
SM
MD
LG