Lidhje

Vuçiç: Marrëveshjet me Kosovën të vështira


Nënshkrimi i marrëveshjeve të fundit mbi energjinë, telekomunikacionin, lëvizjen e lirë dhe bashkësinë e komunave serbe në Kosovë, ishte i vështirë për Serbinë, tha dje në Uashington kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Zoti Vuçiç u takua me Sekretarin e Shteti John Kerry, i cili përshëndeti arritjet në dialogun Kosovë-Serbi dhe kërkoi një angazhim më të madh nga të dyja palët. Gjatë një diskutimi mbrëmë në Institutin Brookings, zoti Vuçiç foli edhe për sfidat e Serbisë përballë vërshimit të imigrantëve dhe përpjekjet e vendit të tij për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vuçiç në Uashington
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:20 0:00

Kryeministri serb Aleksander Vuçiç tha se Serbia dhe Kosova muajin e kaluar arritën marrëveshje mbi katër fusha të vështira, energjinë, telekomunikacionin, lëvizjen e lirë në veriun e Kosovës dhe bashkësinë e komunave serbe.

Gjatë një diskutimi në Institutin Brookings në Uashington kryeministri serb tha se ai dëshiron të ketë një bashkëpunim ekonomik më të madh mes vendeve të rajonit përfshirë bashkëpunimin ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se Serbia do të bëjë përpjekje për të përfunduar projektin e ndërtimit të autostradës Nish-Prishtinë-Durrës.

“Serbia do të punojë për ndërtimin e autostratës Nish-Prishtinë-Durrës, në anën serbe të kufirit dhe autostradën që do të lidhë Nishin me Preshevën. Këto janë projekte të rëndësishme që ne duhet t’i përfundojmë”.

Sekretari i Shtetit John Kerry dje pas takimit me kryeministrin Vuçiç përshëndeti arritjen e marrëveshjeve të reja mes Serbisë dhe Kosovës dhe vazhdimin e dialogut. Por ai tha gjithashtu se ka ende shumë punë për t’u bërë.

“Ne përshëndesim tranzicionin që është duke ndodhur në bazë të marrëveshjes së vitit 2013 me Evropën sa i përket Kosovës dhe Serbisë. Ka ende punë në këtë drejtim, siç e di edhe vetë kryeministri (serb), por unë mendoj se ai dhe të tjerët po merren me këtë sfidë dhe kjo është e rëndësishme”.

Pas takimit me nënpresidentin amerikan Joe Biden të martën në Shtëpinë e Bardhë shërbimi serb i Zërit të Amerikës e pyeti kryeministrin serb për hetimet rreth vrasjes së tre shtetasve amerikan me origjinë nga Kosova, vëllezërve Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi. Kryeministri Vuçiç tha se nuk ka justifikim ose arsyetim dhe se Serbia do të përmbushë detyrimet e saj në lidhje me këtë çështje sa më shpejtë që të jetë e mundur.

“Ne nuk kemi diskutuar për afate, kemi folur për gjëra konkrete që po bëjmë. Ata e dinë se me çfarë po përballemi ne, ata janë të njohur me hollësitë dhe përpjekjet që kemi bërë në këtë drejtim. Jam i kënaqur me faktin që nënpresidenti Biden në disa raste ka thënë se “ka njerëz që kanë guximin të bëjnë gjëra që shumicës nuk u pëlqejnë”, jo vetëm për këtë çështje por edhe në çështje të tjera, pavarësisht kundërshtimit nga shumica e njerëzve në vendin tonë”.

Në lidhje me situatën e emigrantëve, kryeministri Vuçiç tha gjatë një diskutimi në Insitutin Brookings se Serbia do të shtojë përpjekjet për një trajtim më të mirë të emigrantëve që kalojnë përmes Serbisë në rrugëtimin e tyre drejt Evropës Perëndimore. Ai tha se autoritetet serbe duan të qetësojnë situatën në kufirin me Hungarinë ku policia hungareze ka përdorur gaz lotësjellës ndaj emigrantëve në anën serbe të kufirit. Zoti Vuçiç shprehu pakënaqësinë e tij me mbylljen e kufirit nga Hungaria.

“Ne nuk mund të jemi të kënaqur me ndërtimin e gardhit, nuk mund të jemi të kënaqur me telat me gjemba. Mbyllja e kufirit gjithashtu dëmton ekonominë serbe”.

Ndërsa për lidhjet e Serbisë me Rusinë dhe ndikimin e tyre në përpjekjet e Serbisë për anëtarësim në BE, kryeministri Vuçiç tha se Serbia ka marrëdhënie tradicionalisht të mira me Rusinë, por ajo do të jetë një partnere besnike e BE-së.

“Qëllimi ynë strategjik është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Dhe ne do të jemi një vend anëtar besnik i Bashkimit Evropian jo vetëm kur bëhet fjalë për përdorimin e fondeve të BE-së por edhe në rastet kur nuk do të jetë e lehtë”.

Kryeministri serb Aleksander Vuçiç ka patur takime edhe me ligjvënës amerikanë, duke përfshirë Kryetarin e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për marrëdhënie me jashtë, Ed Royce.

XS
SM
MD
LG