Lidhje

Fizioterapia në ujë dhe aftësia për të ecur


Për njerëzit me vështirësi për të lëvizur, bota është një pistë e gjatë me pengesa. Edhe veprimet më të thjeshta mund të jenë një sfidë. Hipja në një autobus, marrja e një kutie konserve në një raft, të shkuarit në shkollë apo përdorimi i një banjoje pa u ndihmuar mund të jenë përtej mundësive të personave me probleme nga lindja apo me dëmtime të shtyllës kurrizore.

Por, një program kërkimor në shtetin Tenesi tregon se edhe përmirësimet relativisht të vogla të lëvizshmërisë mund të përbëjnë një ndryshim të madh në jetën e njerëzve me aftësi të kufizuara.

Tim Patterson po shkon për një shëtitje. Diçka mahnitëse, po të kihet parasysh që një tumor në shpinë shtatë vjet më parë e detyroi të përdorte karrige me rrota. Pra, vetëm fakti që qëndron në këmbë është një arritje e madhe. Zoti Patterson po merr pjesë në një studim për lëvizshmërinë, që përdor makinën e ushtrimeve për ecje, në ujë.

"Nuk mund t’i lëvizja fare këmbët para se të fillonim programin, ndërsa tani mund të eci deri në 27 metra duke u mbajtur, përpara se të më duhet të ulem. Pra, ky është ndryshim drastik."

Vendimtar është uji, thotë Sandy Stevens, e cila po drejton studimin në Universitetin e Shtetit Tenesi. Ajo thotë se terapia në ujë është ideale, sepse ka më pak mundësi për t’u lënduar nga një rënie dhe sepse uji i bën këmbët e lehta dhe jo të vështira për t’i lëvizur.

"Me kontroll minimal, pra me vetëm pak forcë muskujsh, ata mund të hedhin një hap dhe pasi krijon atë aftësi, ke diçka mbi të cilën mund të punosh."

Kjo është e mundur sepse ecja është pjesërisht një refleks. Edhe kur një dëmtim i shtyllës kurrizore shkëput lidhjen me trurin, këmbëve "u kujtohet" se si të hedhin një hap.

"Stimuli për të ecur është pesha, kur qëndrojmë në këmbë. Nëse mund të sigurojmë një mjedis që lejon këtë, atëherë një hap i natyrshëm do të ndodhë, edhe në qoftë se truri nuk mund ta stimulojë atë."

Hulumtimet e deritanishme sugjerojnë se terapia në ujë mund të sigurojë përmirësime të vogla por të rëndësishme në aftësinë e të ecurit. Siç thekson studiuesja Stevens, edhe ndryshimet modeste mund të kenë një ndikim dramatik.

"Mund të vizitosh dikë në shtëpinë e tyre, mund të ndihesh i qetë kur vendos të shkosh në një mjedis komuniteti duke mos u shqetësuar nëse je apo jo në gjendje të përdorësh banjon. Të hapen shumë mundësi në jetën në komunitet."

Janë dashur dy vjet terapi intensive, por ato mundësi kanë filluar të hapen për Tim Patterson.

Drejtori i laboratorit Don Morgan thotë se hapi tjetër është të studiohet përse terapia në ujë ndihmon në përmirësimin e lëvizshmërisë.

"Për shembull, a po vihen zona të caktuara të trurit në funksionim aty ku më parë nuk ndodhte, a ka pjesë të palcës kurrizore që po zgjohet si rezultat i asaj që po ndodh në periferi? Me fjalë të tjera, çfarë po ndodh me këmbët."

Zoti Morgan thotë pavarësisht se ku mund të çojë ky hulumtim, ai të paktën i ka dhënë njerëzve me aftësi të kufizuara shpresë për të ardhmen dhe mundësi për të filluar një jetë të re, një jetë normale.

XS
SM
MD
LG