Lidhje

Shqipëri: Reagime pas vdekjes së Arbër Xhaferit


Në Shqipëri figurat kryesore shtetërore dhe politike të vendit kanë shprehur sot në mbrëmje hidhërimin për ndarjen nga jeta të Arbër Xhaferit, një nga firmatarët e Marrëveshjes së Ohrit dhe një nga zërat autoritar të shqiptarëve në rajon.

Presidenti Bujar Nishani i përcolli ngushëllimet familjes, kolegëve dhe bashkëqytetarëve të zotit Xhaferi në Republikën e Maqedonisë për humbjen e “një udhëheqësi vizionar”.

Presidenti Nishani thotë se Arbër Xhaferi vuri në dispozicion idealet e tij “për t'i shërbyer popullit, lirive njerëzore, demokracisë, bashkëjetesës, paqes dhe stabilitetit dhe gjithë arsenalin e tij shpirtëror dhe intelektual”. Zoti Nishani tha se ai përdori me mjeshtri dialogun dhe diplomacinë edhe në momentet kur paqja dukej më e pashpresë se kurrë.

Kryeministri Sali Berisha tha se lajmi për ndarjen nga jeta të zotit Xhaferi sjell pikëllim të thellë dhe trishtim të madh tek familja e tij, tek miqtë e tij dhe mbarë shqiptarët.
Ai tha se me ndarjen nga jeta të Arbën Xhaferrit, bota e mendimit dhe elita politike e kombit, humbën njërin prej personaliteteve më të shquara të dekadave të fundit.

“Duke ndarë me Ju dhimbjen e thellë, pikëllimin e madh për Arbënin tuaj të dashur, mikun tonë të çmuar, liderin, politikanin, parlamentarin, studiuesin që i përkushtoi jetën, mendjen dhe të gjithë energjitë e tij mbrojtjes së lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor e kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe kudo në rajon, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, ju shpreh të gjithëve Ju, ngushëllimet më të sinqerta”.

Kryetari partisë socialiste Edi Rama është shprehur se “Arbër Xhaferi ishte një shqiptar jotipik që tha të vërteta të mëdha e hapi rrugë të pashkelura me trimëri të jashtëzakonshme intelektuale. Vdekja e tij është një humbje e madhe për botën shqiptare, në disa përmasa që vec Arbër Xhaferi i mishëronte në një njeri të vetëm”, shkruan zoti Rama në Twitter.
Ish presidenti Bamir Topi në mesazhin e tij të ngushëllimit e vlerëson atë si “një intelektual i klasit të lartë. Ishte një rilindas i kohëve moderne. Humbja e Arbër Xhaferit është humbje kombëtare. Çdo shqiptar ndjen trishtim për filozofin e krijuesin”, shprehet ish presidenti Topi.

Nga ana e tij ish ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000 në kulmin e krizës në Maqedoni e cilësoi zotin Xhaferi si “një shqiptar shumë i madh që largohet nga jeta. Ka qenë një mendje e hapur dhe e ndritur. Ai ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në emancipimin e popullit shqiptar, Eshtë një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të nacionalizmit pozitiv”, u shpreh zoti Milo duke folur për News 24.

“Rilindas i madh i historisë sonë” vlerëson nga ana e saj partia Aleanca Kuqezi duke shprehur keqardhjen “për ndarjen nga jeta të mendjes më të kthjellet të politikës në trojet shqiptare. Fjalët janë të shumta për këtë njeri inovator dhe vizionar”, nënvizon AK.

Ndarjen nga jeta të zotit Xhaferi, Partia për Demokraci Integrim dhe Unitet e quan "humbjen e njërit prej udhëheqesve më të palodhur të kombit shqiptar në terësi e të shqiptarëve të Maqedonisë në veçanti përbën një moment zie në historinë moderne të kombit”.
XS
SM
MD
LG