Lidhje

Bashkia e Uashingtonit feston Ditën e Ilir Zherkës


Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit e ka shpallur ditën e sotme Dita e Ilir Zherkës. Lobisti dhe aktivisti veteran me prejardhje shqiptare është bërë një ndër figurat më të njohura në betejën për t’u siguruar banorëve të Uashingtonit të drejta të plota përfaqësimi në Kongresin amerikan. Ai mbylli një karrierë 10 vjeçare në krye të organizatës DC Vote për të marrë drejtimin e një organizate tjetër të shoqërisë civile. Zoti Zherka flet për eksperiencën e tij si aktivist, vizionin dhe ambicjet për të ardhmen.



Ilir Zherka shprehet me një mirënjohje dhe kenaqësi të natyrshme për nderimin që ka marrë nga Kryetari i Bashkisë së Uashingtonit në Ditën e Ilir Zherkës. Por ai ka edhe një krenari të dukshme kur flet për punën e tij si Drejtori Ekzekutiv i organizatës DC Vote. Para se ai të merrte drejtimin e organizatës, DC Vote ishte një organizatë e vogël, nën kërcënimin e falimentimit dhe me probleme të vazhdueshme nga një drejtim i dobët dhe një strategji e paqartë. Dhjetë vjet më pas, megjithëse ende larg arritjes së misionit, ajo është sot organizata më e njohur në përpjekjet për t'i siguruar Uashingtonit përfaqësim në organin legjislativ:

“Realizuam dy gjëra që ishin shumë të rëndësishme në lëvizjen për demokracinë në Uashington. Njëra ishte krijimi i një koalicioni të fortë organizatash që merren me këtë mision. Përmes këtij koalicioni organizatash kemi arritur të aktivizohemi në shtete ku nuk kemi anëtarë, kjo ka rëndësi kritike në përpjekjet për ta ngritur këtë betejë në nivelin institucional. Gjatë 10 vjetëve të fundit kemi arritur mbështetje dypartiake për përfaqësimin e Uashingtonit në Kongres si dhe kontroll të plotë mbi ligjet dhe buxhetin lokal".

Që në krijimin e Distriktit të Kolumbias si selia e qeverisë federale, uashingtonasit kanë zhvilluar një betejë të pandërprerë për të siguruar të drejtat civile që u ofrohen shtetasve të tjerë amerikanë. Pengesat ndaj kësaj lëvizjeje janë bazuar gjithmonë në argumentin që Washingtoni nuk gëzon statusin e shtetit dhe si rezultat, banorët e tij nuk gëzojnë statusin e banorëve të shteteve të tjerë. Është një argument ndaj të cilit DC Vote, është mobilizuar aktivisht në 10 vjetët e fundit me protesta, demonstrata e lobizëm të fuqishëm:
“Themeluesit e kombit krijuan nje Distrikt Federal, por jo një distrikt me qytetarë të klasit të dytë. Kushtetuta nuk thotë se uashingtonasve nuk do t'u njihet e drejta për përfaqesim në Kongres, apo për të gëzuar kontroll mbi qeverisjen lokale. Ata parashikonin që Kongresi në të ardhmen do t'i zgjidhte këto çështje. Nuk ishte menduar që 200 vjet më pas, uashingtonasit nuk do të gëzonin këto të drejta themelore, përkundrazi".

“Drejtimin e organizatës DC Vote e pashë si një mundësi që unë, një imigrant i ardhur në këtë vend kisha shansin të ndihmoja kryeqytetin e vendit të realizonte një të drejtë bazë që pjesa më e madhe e amerikanëve nuk e kanë idenë se vazhdon si problem".

I njohur si një lobist dhe organizator energjik e i aftë, zoti Zherka pohon se puna si aktivist nuk është gjithmonë e lehtë dhe e lavdishme.

"Kam përjetuar shumë raste kur jam ballafaquar me vendimin e gabuar në sistemin politik amerikan, gjë që më irriton. Por nuk mund ta quaj politikën ‘lojë të pistë’. Kështu është realiteti: politikanët duan të rizgjidhen, ata kanë një vizion që duan të realizojnë dhe për ta arritur këtë, u duhet të sigurojnë votat dhe shpesh, për ta bërë këtë ata marrin edhe vendime të gabuara nga pikëpamja ime. Ajo që më pëlqen tek puna që bëj është se unë kam detyrën t'i bind politikanët të marrin vendimet e duhura, jo thjesht duke u kërkuar në mënyrë të sjellshme, por edhe përmes protestash, presionit, vënien e tyre përpara përgjegjësisë. Ky është një element esencial i sistemit politik amerikan. Në fund të fundit politikanët punojnë për popullin".

Zoti Zherka është veçuar si një ndër lobistët më të suksesshëm në përpjekjet e Uashingtonit për të siguruar vendin e tij në Kongres. Për vetë Ilir Zherkën, ky mision është një mundësi për të konkretizuar demokracinë amerikane:

"Zbulova pasionin e jetës kur punova me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, pasi në atë detyrë pata mundësinë të ndihmoj një komunitet, në këtë rast komunitetin shqiptaro-amerikan të komunikonin dhe t'i parashtronin kërkesa qeverisë së tyre. Ky është thelbi i demokracisë amerikane - mundësia që u jepet grupeve të interesave specifike, përmes fushatave, kontributeve politike, protestave, të ndikojnë tek qeverisja. Aty zbulova pasionin tim, zbulova talentin ne organizimin e njerëzve, për t'u dhënë atyre zërin që u duhet të dëgjohen në Kapitol, në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjithë vendin për të sjellë ndryshime".

Është një element që ende u mungon shoqërive në Ballkan, pohon zoti Zherka, kjo edhe për faktin që ende nuk është krijuar kultura e donacioneve në mbështetje të shoqatave dhe fondacioneve joqeveritare e jopartiake që punojnë për një mision të caktuar:

"Në shumë vende organizatat nuk kanë ato burime që kemi në Amerikë. Pjesa më e madhe e fondeve tona vijnë nga fondacione që janë themeluar vite më parë nga njerëz shumë të pasur për të realizuar një ndikim pozitiv tek shoqëria. Ne kemi burimet financiare për të bërë lobizëm dhe aktivizëm. Është e vështirë të bësh aktivitet në shërbim të interesit publik pa pasur fondet e nevojshme, thjesht mbi baza vullnetare. Këtu në Shtetet e Bashkuara ne e bëjme këtë punë në nivelin profesional. Në këtë organizatë unë kam afro 10 punonjës me orar të plotë, ka organizata që kanë deri në 100 punonjës. Shpresoj që me kalimin e kohës, kjo kulturë e donacioneve dhe e mbështetjes me fonde për këto kauza do të krijohet edhe në Kosovë e Shqipëri".

Një shembull i suksesshëm i këtij mobilizimi social është komuniteti shqiptaro-amerikan, për të cilin zoti Zherka ka punuar prej vitesh si organizator dhe lobist. Ai mbetet edhe sot e kësaj dite një anëtar aktiv i organizatave të komunitetit:

"Jam anëtar i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan. Mendoj se komuniteti shqiptaro-amerikan ushtron një influencë 1 mijë herë më të madhe se numri i anetarëve të tij. Ky është një komunitet shumë i vogël në Shtetet e Bashkuara, por jemi treguar shumë të zgjuar dhe të organizuar më së miri. Shqiptaro-amerikanët kanë miq të fuqishëm mes demokratëve dhe republikanëve dhe kauza shqiptare ka përfituar më së miri nga këto marrëdhënie".

Në zyrat e organizatës DC Vote, sot është një ditë sa festive, aq edhe emocionuese. Ilir Zherka dorëzon detyrën e Drejtorit Ekzekutiv për të marrë drejtimin e organizatës National Conference on Citizenship. Por ai nuk e mohon që në një të ardhme mund të konkurojë edhe për post publik:

"Kam mësuar se kurrë nuk duhet të thuash "S'do të ndodhë kurrë". Nuk i dihet. Nuk mund të them si do të vijë e ardhmja. Aktualisht jam i angazhuar në mënyrë aktive në sistemin politik amerikan. Detyra e re që marr së shpejti do të më japë mundësi edhe më të mëdha për të ndihmuar njerëzit të angazhohen në sistemin politik amerikan".

Një detyrë e re për një aktivist dhe lobist veteran që ka lënë tashmë gjurmë në pejsazhin politik të Uashingtonit.
XS
SM
MD
LG