Lidhje

Çifti amerikan i bllokuar nga koronavirusi gjatë pushimeve në Itali


Çifti Hewson duke vizituar Pompein
Çifti Hewson duke vizituar Pompein

Një çift amerikan nga Detroiti e kishte ëndërr të një jete të vizitonte Italinë. Kur kjo ëndërr u bë realitet në mars, çifti Colleen dhe Marvin Hewson e gjetën veten në mes të një pandemie të rrezikshme. Udhëtimi i tyre i ëndërruar u shndërrua në një aventurë të gjatë e të paplanifikuar.

Kur qendra historike e qytetit antik të Pompeit po përgatitej të rihapej, Colleen dhe Marvin Hewson, dy pensionistë nga Detroit, ishin të parët në radhë.

Çifti amerikan kishin bërë plane gjithë jetën që një ditë do të vizitonin Italinë dhe më në fund mund ta realizonin këtë ëndërr. Por kur erdhi dita e udhëtimit, bota po përfshihej nga paniku i koronavirusit:

"E prenotova udhëtimin në dhjetor. Kompania e udhëtimit ajror nuk e anuloi fluturiin, presidenti tha se ishte si gripi, do të zhdukej. Prandaj u nisëm. Kishim shpenzuar kursimet për këtë udhëtim, nuk na riimbursonin, prandaj vendosëm të vijmë. Po festonim 30 vjetorin e martesës si dhe ditëlindjen e tim shoqi. Ai mbushte 75 vjeç”, tregon Collen Hewson.

Ata arritën në Romë më 5 mars; ishte udhëtimi i tyre i parë jashtë kontinentit amerikan.

"Pasi arritëm në Itali erdhëm te qyteti antik më 10 mars. Na thanë që e kishin mbyllur për 20 ditë. Të nesërmen na thanë të mbylleshim brenda. Nuk kishte avionë me çmime të përballueshme për ne. Fëmijët na thanë se ishte më mirë të mos lëviznin në periudhën e pandemisë, sidomos edhe për faktin që italianët u treguan shumë të disiplinuar: duke vënë maska e doreza, duke u treguar të duruar e duke ruajtur distancën”, tregon zonja Hewson.

Nga ato që dëgjon, Colleen Hewson beson se në Itali ka qenë më e mbrojtur se po të kishte qenë në Detroit.

"Italianët janë treguar shumë të duruar, gjë që nuk më duket se ka ndodhur në Amerikë. Më tregon vajza se në Shtetet e Bashkuara dyqanet shënonin me vizë në dysheme ku duhet të rrinte secili klient për të ruajtur distancën, por përsëri njerëzit nuk e respektonin. Siç duket ne amerikanëve nuk na pëlqen të na thotë njeri çfarë të bëjmë. Në fakt ndjehem më e sigurtë këtu në Itali,” thotë zonja Hewson.

Pas aventurës së tyre të gjatë e të paplanifikuar në Itali, çifti përgatitet tani për rikthimin në normalitet.

Colleen dhe Marvin u kthyen në Romë pas vizitës në Pompei. Ata kanë në plan të shfrytëzojnë orët e fundit të udhëtimit të tyre në Itali duke vizituar objekte historike para se të nisen për në Shtetet e Bashkuara më 29 maj.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG