Lidhje

Greqia para zgjedhjeve: Acarime mes politikanëve


Të dielën grekët shkojnë përsëri në zgjedhje të përgjithshme, e dyta herë në gjashtë javë.

Të dielën, grekët shkojnë përsëri në zgjedhje të përgjithshme, e dyta herë në gjashtë javë. Zgjedhjet e fundit, në muajin maj nuk përfunduan me rezultate të qarta. Ndërkohë tensionet mes politikanëve të djathtë e të majtë janë rritur në luftën për vota.

Debatet televizive para zgjedhjeve zakonisht janë të përzemërta. Por, Greqia është në vitin e pestë të recesionit dhe zemërimi ndihet kudo.

Pas shkëmbimit të fyerjeve, zëdhënësi i partisë së ekstremit të djathtë Agimi i Artë, bën një gjest në drejtim të dy të ftuarave të së majtës.

Pastaj ai godet me grusht Liana Kanellin e Partisë Komuniste, duke e lënë të tronditur. Pas incidentit, në drejtim të zëdhënësit dërgohet një urdhër arresti.

Tensioni midis së djathtës dhe së majtës ka gjetur shprehje edhe në rrugë. Dy partitë që tradicionalisht e kanë drejtuar Greqinë për gati 40 vjet kanë humbur miliona vota. Shumë grekë fajësojnë ata për kaosin në të cilin ndodhet vendi. E djathta ekstreme po fiton terren – gjë që i shqetëson këta protestues.

Por tani e majta ekstreme po fiton edhe më shumë. Alexis Tsipras kryeson koalicionin Syriza. Brenda pak muajsh, nga një njeri i panjohur tani ai kryeson në shumë anketa. Ai thotë se kushtet e paketës së shpëtimit janë tepër të dhimbshme për vendin e tij, dhe duhen ndryshuar.
Alexis TSIPRAS, udhëheqës i partisë SYRIZA
"Tani jemi në tehun e thikës dhe katastrofa do të jetë e pashmangshme ... zjarri nuk do të shuhet dot dhe nuk do të kufizohet vetëm te Greqia."

Në skenarin më të keq, Tsipras flet për kthimin e detyruar te dhrahmia. Greqia mendonte se e kishte braktisur për gjithmonë këtë monedhë më shumë se 10 vjet më parë.

Ky është Vasilis Kapsis me gruan e tij Nella. Ai thotë se kthimi te dhrahmia do të ishte një fatkeqësi.

Vassilis KAPSIS, baba i papunë
"Kjo do të thotë më pak para në xhepin tim, por edhe një rritje çmimesh. Për njerëz si ne, me fëmijë, sidomos me fëmijë të vegjël, do të jetë shumë vështirë. "

Në Londër, Dionyssis Dimitrakopulos, thotë se, megjithë rritjen e ekstremeve politike, në Greqi pothuajse të gjithë janë dakord se duan ta mbajnë euron.

DIONYSSIS Dimitrakopulos, Universiteti i Londrës
"Ka mbështetje absolute për këtë pikëpamje në të gjitha partitë kryesore; ka disa parti të skajshme, si komunistët që e thonë hapur se duan të tërhiqen nga euroja. Por kjo ide është mposhtur krejt dhe përsëri do të hidhet poshtë të dielën."

Dimitrakopulos thotë se një tjetër gjë që i bashkon grekët është se ata nuk duan zgjedhje të tjera. Dy zgjedhje në gjashtë javë mjaftojnë. Por sondazhet e opinionit tregojnë se nuk do të ketë një fitues të qartë. Dhe kjo duket se do të çojë në një tjetër koalicion të paqëndrueshëm.
XS
SM
MD
LG