Lidhje

Mitt Romney përpiqet të tërheqë hispanikët


Anketat tregojnë se ky grup vazhdon të përkrahë fuqimisht Presidentin Barack Obama

Kandidati republikan për President, Mitt Romney u përpoq të siguronte mbështetjen e votuesve hispanikë, një grup që anketat tregojnë se vazhdon të përkrahë fuqimisht Presidentin Barack Obama para zgjedhjeve të këtij viti. Zoti Romney foli para një grupi zyrtarësh hispanikë në Florida dhe Presidenti pritet të flasë nesër para të njejtit grup. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Në fjalimin e tij, Mitt Romney u përqendrua tek ekonomia e brendshme, duke paraqitur argumentin se familjet hispanike kanë vuajtur si edhe pjesa tjetër e vendit gjatë mandatit të presidentit Obama.

“Do t’ju kërkoj t’i hidhni një vështrim 3 viteve e gjysëm të fundit dhe të pyesni veten nëse mund të bëjmë më mire. A është Amerika ku hispanikët kanë 11 për qind papunësi, Amerika e ëndrrave tona? Ne mund të bëjmë më mirë”.

Ish-guvernatori i Masacusetsit ka marrë qëndrime mbrojtëse ditët e fundit, pas deklarimit të Presidentit Obama për t’i dhënë fund deportimit të shumë fëmijëve të emigrantëve të paligjshëm, një lëvizje që gjeti mbështetje në komunitetin e emigrantëve. Zoti Romney tha se do të ndiqte një rrugë tjetër, por nuk dha shumë hollësi.

“Unë do të kem planin tim afatgjatë që do të zëvendësojë masën e përkohëshme të Presidentit. Si president, unë nuk do të mjaftohem me masa të përkohëshme”.

Zoti Romney tha se do ta trajtojë cështjen e emigracionit të paligjshëm në një mënyrë të qytetëruar, por të vendosur dhe përsëriti mbështetjen për një gardh në kufi mes Shtetet e Bashkuara dhe Meksikës.

Zoti Romney dhe rivalët e tij për emërimin e parties republikane mbajtën një qëndrim të ashpër ndaj emigracionit të paligjshëm, gjatë fushatës së zgjedhjeve paraprake dhe disa nga votuesit hispanikë u ofenduan nga retorika e ashpër.

Javën e kaluar, Presidenti Obama njoftoi për një ndryshim në politikë që do t’u jape mundësi të rinjve që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara në mënyrë të paligjshme që të rrinë në vend, të studiojnë dhe të ndjekin karriera.

“Ata janë amerikanë në zemër, në mendje, në gjithcka përvecse në letra”.

Aktivistët e emigracionit e kanë mirëpritur ndryshimin dhe shumë mendojnë se kjo lëvizje mund ta ndihmojë presidentin që ta konsolidojë mbështetjen mes votuesve hispanikë në zgjedhjet e nëntorit. Cristina Jimenez është anëtare e grupit “United We Dream Network”, një nga grupet që morën pjesë në një tubim në Uashington.

“Ne duhet të sigurohemi që komunitetet hispanike dhe të emigrantëve në Shtetet e Bashkuara të entuziazmohen nga ky njoftim, por gjithashtu të jenë të gatshëm të marrin pjesë në zbatimin e kësaj politike dhe të përfshihen në jetën shoqërore të vendit tone”.

Por analisti politik, Charlie Cook thotë se demokratët mund të përballen me sfida për të motivuar votuesit hispanikë për të shkuar në kutitë e votimit.

“Nëse shtron pyetjen se cilat janë tre ose katër përparësitë e fushatës së Presidentit Obama, mes tyre nuk do të jetë që të binden hispanikët të votojnë për të. Do të jetë që të binden për të votuar, sepse për këtë duan motivim”.

Ish-kongresmeni republican Tom Davis i Virginia-s thotë se në fund të fundit shqetësimet e votuesve për ekonominë do të jenë më të rëndësishme sesa motivimi i hispanikëve dhe grupeve të tjera me prirje demokrate.

“Në këto zgjedhje, me ekonominë si çështjen kryesore, grupimet tradicionale etnike dhe kulturore e humbin rëndësinë. Dhe mendoj se kjo është në dëm të presidentit”.

Anketat e fundit tregojnë se Presidenti Obama gëzon mbështetjen e rreth 67 për qind të komunitetit hispanik, një shifër pothuajse e njëjtë me kohën kur po kandidonte për President kundër republikanit John McCain në vitin 2008.
XS
SM
MD
LG