Lidhje

Shtohet dhuna ndaj të huajve në Greqi


HRW:Ksenofobia greke
HRW:Ksenofobia greke

Autoritetet greke kanë dështuar për të goditur një valë në rritje të dhunës ksenofobike, sipas një raporti të organizatës Human Rights Watch.

Autoritetet greke kanë dështuar për të goditur një valë në rritje të dhunës ksenofobike kundër emigrantëve, thuhet në një raport të botuar të martën nga organizata Human Rights Watch.

Raporti thotë se shtimi i dhunës kundër emigrantëve në Greqi duket qartë.

Benjamin Ward është zv/drejtor i divizionit të Evropës dhe Azisë Qendrore pranë organizatës Human Rights Watch.

Ai thotë se shumica e emigrantëve të keqtrajtuar janë nga Afrika dhe Azia. Disa, janë emigrantë ekonomikë, por shumë prej tyre u kanë ikur pëndjekjeve në vendet si Somali dhe Afganistan.

"Për shkak të politikave të Greqisë këta emigrantë kanë prirje të mbeten rrugëve. Për shkak të ngjyrës së lëkurës dhe për vetë faktin se jetojnë në rrugë ata janë tejet të dukshëm. dhe kjo i bën ata objekt sulmesh të ndryshme."

Greqia është vendi kryesor kalimi në Evropë për emigrantët pa dokumenta dhe azil kërkuesve nga Azia dhe Afrika. Por zoti Ward thotë se sistemi grek për përpunimin e kërkesave të azil-kërkuesve nuk funksionon, duke lënë shumë azil kërkues të bllokuar.

Për hartimin e raportit të saj, organizata Human Rights Watch intervistoi 59 njerëz, të cilët thanë se kishin përjetuar një sulm ksenofobik mes muajit gusht 2009 deri në maj 2012. Raporti thotë se 51 prej këtyre incidenteve kanë qenë sulme serioze.

Raporti thotë se shumica e sulmeve kryhen gjatë natës, në ose pranë shesheve të qytetit. Zoti Ward i tha Zërit të Amerikës për rastet kur vullnetarë të ashtuquajtur "grupe qytetarësh" në Athinë, patrullojnë rrugët natën dhe sulmojnë emigrantët.

Zoti Ward thotë se autoritetet greke po bëjnë pak për t'i mbrojtur ata.

"Në disa raste viktimat u janë drejtuar policisë, i cila u tha se edhe ata duhet t'u ishin kundërpërgjigjur sulmeve të tilla.. Në disa raste viktimave u ishte kërkuar të paguajnë një tarifë 100 euro, në qoftë se donin te raportonin një krim në polici. Dhe në disa raste ata ishin kërcënuar me arrestimin, sepse ishin emigrantë pa dokumenta ".

Greqia është në mes të një krize të madhe ekonomike. Ajo është tani në vitin të pestë të recesionit dhe me papunësi prej afër 25 për qind. Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë dhënë fonde për të parandaluar Greqinë nga mospagimi i borxheve. Por fondet vijnë me kusht që Greqia të bëjë shkurtime të mëdha të shpenzimeve dhe rritje taksash.

Ash Amin është ekspert për integrim racial evropian në Universitetin e Kembrixhit.

Ai thotë se presionet ekonomike në Greqi janë duke nxitur ksenofobinë. Dhe se kjo është një prirje që shtrihet përtej kufijve grekë.

"Ky është një fenomen që prek të gjithë Evropën nga veriu në jug, lindje e perëndim, por sigurisht në shkallë të ndryshme. Kjo është vërtetë frikë nga huajt".

Zoti Amin thotë se partitë politike kanë luajtur rolin e tyre në nxitjen e ndjenjave kundër emigrantëve. Në një numër vendesh evropiane, politikanët e krahut të djathtë me një platformë anti-emigrantësh kanë kanë fituar terren politik në zgjedhjet e fundit.

"Nëse disa prej forcave kryesore politike nuk marrin përsipër të përcaktojnë Evropën si një shoqëri pluraliste, si një entitet shum-kulturor, si një kontinent në të cilin problemi nuk është emigracioni, por mungesa e rritjes ekonomike, mungesa e lidhjeve shoqërore ,mungesa e integrimit, atëherë Evropa përballet një të ardhme të mundshme shumë të errët. "

Në Greqi, një qeveri e re filloi nga puna muajin e kaluar. Organizata Human Rights Watch thotë se kjo qeveri e re duhet të marrë hapa të menjëhershëm për të trajtuar dhunën ksenofobe.
XS
SM
MD
LG