Lidhje

Polarizimi politik në SHBA


US Congress
US Congress

Betejat për buxhetin të kombinuara me çështje sociale e kanë bërë të vështirë për anëtarë të dy partive që të gjejnë një kompromis

Sipas të gjitha sinjaleve, zgjedhjet presidenciale të këtij viti do të jenë një garë e ngushtë mes Presidentit demokrat Barack Obama dhe rivalit të tij republikan, ish guvernatorit Mitt Romney. Një nga arsyet që zgjedhjet pritet të kenë rezultat të ngushtë është se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë një vend i polarizuar. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jim Malone njofton nga Uashingtoni.

Polarizimi i politikës amerikane ka filluar prej dekadash. Betejat politike në Kongres për buxhetin dhe kompetencat e qeverisë të kombinuara me beteja të gjata për çështje sociale si aborti dhe martesa mes homoseksualëve e kanë bërë të vështirë për anëtarë të dy partive që të gjejnë një kompromis.

Peter Brown punon në Institutin e Anketave në Quinnipiac që kryen sondazhe për çështje politike dhe kandidatë në gjithë vendin.

Ne jetojmë në një vend të polarizuar, në një vend ku ka njerëz me vlera të ndryshme dhe stile jetese të ndryshme. Për shembull, ne e dime që nëse jeton në një zonë urbane, je më i prirur të votosh për Partinë Demokrate. Nëse jeton në një zone rurale ke më shumë gjasa të votosh për republikanët”.

Polarizimi politik pasqyrohet në shumë forma. Për shembull, të bardhët që janë të martuar dhe frekuentojnë kishën, rregullisht kanë prirjen të votojnë për republikanët, ndërsa jo të bardhët që janë të pamartuar dhe më pak fetarë në përgjithësi mbështesin demokratët.

Në dekadat e fundit, në Shtetet e Bashkuara është krijuar edhe një hendek gjinor. Demokratët kanë prirjen të tërheqin më shumë votueset gra, ndërsa republikanët kanë avantazh me burrat. Nuk duhet harruar që këto prirje i nënshtrohen luhatjeve të lehta nga një cikël zgjedhor në tjetrin.

Një çarje e madhe që ka dale në pah vitet e fundit është sesi amerikanët e shohin rolin e qeverisë qendrore. Një anketë e fundit e Wall Street Journal dhe NBC-së arriti në përfundimin se 49 për qind e të anketuarve besojnë se qeveria duhet të bëjë më shumë për të ndihmuar njerëzit, ndërsa 47 për qind thane se qeveria po ndërhyn më shumë se c’duhet.

Amerikanët vazhdimisht e shprehin zhgënjimin e tyre për politikën e polarizuar në anketa, duke u kërkuar të dyja partive që t’i largohen ideologjisë dhe të gjejnë kompromis.

Votuesit i japin vlerësim të ulët kongresit, një pjesë të madhe sepse ligjvënësit shpesh bllokohen nga qëndrimet e tyre politike dhe nuk arrijnë të zgjidhin asgjë.

Norm Ornstein i Institutin American Enterprise thotë se figurat politike në Kongres shpenzojnë shumë kohë duke u marrë me qëndrimet politike për cështjet e ndryshme dhe shumë pak duke u përpjekur për një emërues të përbashkët.

“Problemet arrijnë në pikën ku reputacioni i kongresit dëmtohet nëse nuk shoqërohet nga disa përpjekje të tjera për zgjidhjen e problemeve në drejtime të tjera. Pozicionet politike janë të pranueshme nëse zgjidhja e problemeve është gjithashtu pjesë e procesit. Por tani jemi në pikën ku merren vetëm pozicione dhe nuk zgjidhen problem”.

Deri tani, zhgënjimi me dy partite kryesore politike nuk ka ngjallur ndonjë interes për ndonjë parti tjetër të re, ose parti të tjera më të vogla që hyjnë në garë cdo pesë vjet.

Dr. Jill Stein është e vetëdijshme sesa e vështirë është për partite më të vogla që të tërheqin votues. Ajo është këtë vit kandidatja e Partisë së Gjelbër që i ka rrënjët në Evropë dhe e ka theksin tek mbrojtja e mjedisit.

“Amerika, për fat të keq është mbërthyer mes dy partive që kanë fonde të mëdha, po marrin gjithë paratë e korporatave dhe kjo bën që të mos ndryshojë status-quoja. Kjo nuk është pozitive për ndryshimin dhe as për popullin amerikan”.

Shtetet e Bashkuara tradicionalisht kanë pasur një system dypartiak por here pas here partite e treta kanë pasur ndikim tek zgjedhjet presidenciale, si për shembull në vitin 1912 dhe 1992.

Por një përpjekje për një alternative të tretë këtë vit dështoi kur organizatorët nuk arritën të dalin me një kandidat për zgjedhjet e nëntorit.
XS
SM
MD
LG