Lidhje

Organizatorët e Kuvendit shqetësohen rreth stuhisë


Tampa
Tampa

Zëdhënësi i z.Romney, Russ Schriefer u tha gazetarëve në Tampa se fushata republikane po e ndjek me vemëndje përparimin e stuhisë tropikale

Në Shtetet e Bashkuara, Partia Republikane e shkurtoi kuvendin e saj kombëtar për emërimin e kandidatit presidencial Mitt Romney. Një stuhi tropikale ka prekur brigjet e shtetit Florida, ku zhvillohet kuvendi dhe kjo ka krijuar shqetësime për organizatorët.

Kuvendi katër ditor në qytetin Tampa duhet të fillonte të hënën, por zyrtarët e Partisë Republikane i ndryshuan planet, duke i shkrirë aktivitetet që duhet të zhvilloheshin dje, në ato të tri ditëve të mbetura. Shtyrja u shkaktua nga Stuhia Tropikale Isaac, që sipas parashikuesve të motit do të kalojë rreth 300 kilometra në perëndim të Tampës, ndërkohë që vazhdon të forcohet gjatë lëvizjes nëpër Gjirin e Meksikës.

Disa republikanë kanë shprehur shqetësimin se stuhia mund të hedhë hije mbi kuvendin nëqoftëse ajo prek tokën dhe shkakton shkatërrime në brigjet e Gjirit të Meksikës këtë javë. Ata thonë se një zhvillim i tillë mund të bëjë që Partia Republikane ta ulë tonin festiv të kuvendit të saj.

Ndihmësi i zotit Romney, Russ Schriefer u tha gazetarëve në Tampa se fushata republikane po e ndjek me vemëndje përparimin e stuhisë tropikale.

"Gjithmonë ekziston shqetësimi për njerëzit që banojë në rrugën ku do të kalojë stuhia. Kjo do të jetë përparësia jonë, pra që të marrim parasysh shqetësimet e tyre. Kjo është gjëja më e rëndësishme për ne."

Ai la gjithashtu të kuptohet se programi i kuvendit mund të rishikohet përsëri.

"Tani për tani nuk kemi planifikuar ndryshime, por ne po e vëzhgojmë çështjen vazhdimisht dhe jemi shumë eleastikë, pra jemi në gjendje t’i përgjigjemi çdo nevoje që mund të lindë."

Kryetari i Komitetit Kombëtar Republikan, Reince Priebus e hapi në mënyrë simbolike kuvendin të hënën pasdite, por pastaj njoftoi menjëherë se punimet do të vazhdojnë të martën. Ai aktivizoi gjithashtu të ashtuquajturën Ora e Borxhit, një numrator i madh që tregon se sa do të rritet borxhi i jashtëm amerikan gjatë kuvendit katërditor.

Një anketë e opinionit e publikuar të hënën tregon se President Barack Obama, kandidati demokrat dhe Mitt Romney, kandidati republikan, janë në një garë të fortë për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Sipas anketës, zoti Romney ka mbështetjen e 47 përqind të votuesve kundrejt 46 përqind të zotit Obama, shifra që nuk kanë ndryshim të madh nga fillimi i korrikut.

Një tjetër anketë e zhvilluar nga CNN/ORC International thotë se votuesit e mundshëm besojnë se Presidenti Obama është më i lidhur me nevojat e njerëzve se sa rivali i tij. Sipas anketës, Zoti Romney ka aftësi më të mira menaxhuese dhe një plan më të qartë për problemet që po kalon vendi.
XS
SM
MD
LG