Lidhje

Afrikano-amerikanët përkrahin presidentin Obama


african american
african american

Kuvendi i demokratëve tërheq njerëz me interesa dhe pikëpamje të ndryshme

Në Shtetet e Bashkuara, demokratët po mbajnë Kuvendin Kombëtar në Charlotte të Karolinës së Veriut, ku do të emërojnë zyrtarisht Presidentin Barak Obama për një mandat të dytë 4-vjeçar. Kuvendet e partive politike në kohën moderne shërbejnë kryesisht si mjete për të forcuar unitetin brenda partisë me afrimin e zgjedhjeve. Por ato njëkohësisht tërheqin aktivistë, grupe të interesave speciale dhe personalitete të ndryshme nga i gjithë vendi.

Në Charlotte këtë javë janë mbledhur demokratët dhe rrugët e qytetit janë të mbushura me figura të ndryshme. Ndërsa delegatët qëndojnë në radhë, predikuesi i fesë së krishterë nëpër rrugë, Justin Edwards, thotë se është koha që ata të bëjnë një zgjedhje:

“Në dorën e kujt do të jemi? Në dorën e djathtë të gjykimit, apo në atë të majtën, të dashurisë së Zotit?”

Edwards është një nga predikuesit e rrugëve, të sjellë këtu nga Scott Smith nga Florida, që marrin pjesë në ngjarje të rëndësishme, si kuvendet, apo Lojërat e fundit Olimpike të Londrës.

“Kjo është shprehje e ushtrimit të lirisë së fjalës dhe të fesë dhe jemi mirënjohës që në këtë vend vazhdojmë t’i kemi këto liri.”

Pak më tutje, Daniel Robertson po përpiqet të shesë një program mbi Kuvendin e Demokratëve, të mbushur me fotografi të Presidentit Obama. Robertsonit nuk i eci shumë fati kur deshi të shiste të njëjtat mallra edhe për republikanët në kuvendin e tyre. Për arsye të qarta, ai po ka shumë më tepër sukses me turmën e demokratëve në Charlotte.

“Unë isha në Florida për Kuvendin e Republikanëve dhe krahasuar me atje, këtu i ngjan më tepër një feste karnavalesh. Është shumë bukur këtu, ka kaq shumë njerëz miqësorë dhe atmosfera është e mrekullueshme.”

Të tjerë janë me një mision më serioz këtë javë në Charlotte. Slejter Dover është delegat demokrat nga shteti perëndimor i Wyoming-it. Ai është një afrikano-amerikan, i cili u rrit në Karolinën e Jugut, jo larg Charlottes, ku në atë kohë ekzistonte ndarje racor. Ai ka kujtime të hidhura nga ato vite, si psh kur e motra u burgos, ngaqë kishte kërkuar integrimin racor në një qendër lokale lojërash. Dover nuk kishte menduar kurrë se do të arrinte të shihte ditën kur, 4 vjet më parë, Barak Obama u bë presidenti i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Ai e ka të qartë se entuziazmi për presidentin ka rënë paksa krahasuar me vitin 2008, por thotë se do të përpiqet ta ndihmojë Presidentin Obama të zgjidhet për një mandat të dytë në nëntor.

“Ne nuk kemi nevojë për entuziazëm. Ne na duhet një kujtesë e mirë dhe vendosmëri, kjo na mjafton.”

Afrikano-amerikanët e moshuar, në veçanti, e panë zgjedhjen e Barak Obamës si një moment vendimtar në historinë e Shteteve të Bashkuara, një ngjarje që i dha një kuptim të ri luftës shumëdekadëshe për të drejta të barabarta.

Slejter Dover thotë se ai ka një investim personal tek zgjedhja e zotit Obama në nëntor.

“Nëse jo, unë e shoh vendin duke shkuar drejt ditëve të fëmijërisë sime në Karolinën e Jugut, dhe nuk e di për të tjerët, por unë nuk kthehem mbrapsht.”

Fushata e zotit Obama pret të ketë një pjesëmarrje të madhe të afrikano-amerikanëve në zgjedhjet e nëntorit, që deri tani, janë grupi i përkrahësve më besnikë ndaj Presidentit.
XS
SM
MD
LG