Lidhje

Përplasje mes policisë e protestuesve në Prishtinë


Të paktën 17 veta u lënduan dhe 66 u ndaluan pas përplasjeve që pasuan një protestë kundër privatizimit të rrjetit të energjisë elektrike

Në Kosovë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë mbi 100 veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, që po protestonin kundër nënshkrimit të marrëveshjes për privatizimin e Rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.



Policia tha se 66 veta janë shoqëruar në polici, ndërsa tetë protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Nga pasojat e përplasjeve, sipas policisë, nëntë pjesëtarë të saj kanë kërkuar po ashtu ndihmë mjekësore.

Përplasja pasoi përpjekjet e disa veprimtarëve të lëvizjes Vetëvendosje që të hyjnë në oborrin e qeverisë, për të penguar nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Kompanisë turke “Limak & Calik”, e cila do të paguaj 26 milion euro, për rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.

Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se ky është një veprim që dëmton rëndë Kosovën.

Duhet ta kuptoni që thelbi i këtij problemi është se po e shesin distribucionin e KEK-ut për vetëm 26 milion euro, që do të thotë për 2.5 kilometra asfalt të autostradës, po i shesin 18 mijë kilometra kabllo elektrike, qindra trafostacione e nënstacione, po i shesin të gjithë punëtorët, po i shesin të gjitha ato ndërtesa. Po shesin dhjetëra e qindra hektarë tokë, vetëm edhe vetëm që të mbesin këta në pushtet në kurriz të Kosovës dhe të pasurohen korporatat e huaja e ndoshta edhe ndonjë qeveritar, nëse është në biznes me ta”, tha zoti Kurti

Përplasjet u bënë pjesë e diskutimeve të rrepta edhe në Parlamentin e Kosovës, ku ministri i punëve të brendshme Bajram Rexhepi tha se ishte ai që kishte urdhëruar ndërhyrjen e policisë, duke ju përgjigjur kësisoj kërkesës për sqarime nga ana e deputetit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Debati i mëtejmë u shmang nga nënkryetari i Parlamentit Sabri Hamiti që po drejtonte seancën.

Po është e vërtet se unë kam dhënë urdhrin dhe urdhri është dashur të zbatohet edhe pak në mënyrë më rigoroze edhe dua të ju informojë se në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve ekzistuese nuk do të lejohet as deputetët e Vetëvendosjes as deputetët e Kuvendi, as kryesia e Kuvendit, as kryetari i kuvendit deri te presidenca me i blloku institucionet. Në këtë vend, në bazë të ligjeve ekzistuese dhe kushtetutës do të sundoj rendi, ligji dhe jo anarkia edhe kjo është derisa janë të vlefshme këto dokumente”, tha ministri Rexhepi

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje janë drejtuar për të hyrë në objektin qeveritar. Nuk janë nisur me bllokuar atë. Bllokimin e ka bërë policia. Edhe ndërhyrjen policia e ka bërë me urdhër të ministrit, në kundërshtim me ligjin, i cili na lejon neve hyrjen në objektet qeveritare në institucionet publike të Kosovës, sa herë kemi nevojë”, tha deputeti Ymeri.
Nënshkrimi i marrëveshjes për rrjetin e shpërndarjes së energjisë
Nënshkrimi i marrëveshjes për rrjetin e shpërndarjes së energjisë

Unë nga ky vend ju thërras ta përdorni gjuhën parlamentare. Kjo vlen në rend të parë, kjo vlen në radhë të parë për ministrin, gjuha e tij kërcënuese, ndoshta e ka gjuhë nuk dinë ndryshe këtu në foltore të kuvendit që u tha në replikën e parë jo në të dytën, se e dyta ishte jo parlamentare, e para ishte kërcënuese le ta marr mirë le ta lexoj dhe dëgjoj dhe do të shoh që ajo është gjuhë e hymjes në shtet policor. Unë mendoj se nuk jemi shtet policor dhe nuk do të jemi”, tha zoti Hamiti.

Derisa po protestohej, qeveria Kosovës dhe kompania fituese nënshkruan marrëveshjen, e cila sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, paraqet një moment të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës, në pajtim me kushtetutën e saj.

Ne jemi të përcaktuar për ekonomi të tregut, jemi të përcaktuar që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët e Kosovës dhe një ndër pengesat që nga pas lufta deri më tani ka qenë furnizimi i sigurt dhe furnizim i përballueshëm për qytetarët e Kosovës”, theksoi ai.

Sipas marrëveshjes. e cila kompaninë e bënë pronare të gjithë rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ajo detyrohet që të hyjë në investime në një periudhë afat-mesme prej 300 milionë eurosh dhe pos tjerash, të ruaj edhe vendet e punës për një periudhe trevjeçare.

Marrëveshja e sotme është kundërshtuar edhe nga një grup organizatash joqeveritare, të cilat vlerësojnë se çmimi me të cilin është shitur rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është tejet i ulët dhe fyes, ndërsa bëhet thirrje që të ndërpritet ky model i privatizimit.

Lëvizja Vetëvendosje kundërshton privatizimin e ndërmarrjeve në pronësi publike, duke vlerësuar se me këtë po dëmtohet ekonomia e Kosovës që edhe ashtu radhitet në mesin e vendeve më të varfra në Evropë.

Në Kosovë, me këto privatizime të egra abuzive, gjithçka, gjithnjë e më shumë po i përngjanë fashizmit te Pinoches ne Kili para katër dekadave. Nuk është që këtë gjë nuk e kemi parë. Po na vjen keq që po e shohim në vendin tonë, në shekullin XXI”, tha Albin Kurti

Qeveria, ndërkaq pohon se nëpërmjet privatizimit mund të nxitet rimëkëmbja ekonomike e vendit.

Javën e kaluar Parlamenti i Kosovës me shumicë votash refuzoi një mocion të lëvizjes Vetëvendosje e cila kërkon ndërprerjen e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve në pronësi shoqërore e publike.
XS
SM
MD
LG