Lidhje

Një bangladeshas akuzohet për terrorizëm, i ati mohon akuzat


Quazi Mohammad Rezwanul Ahsan Nafis doli para një gjykate federale dje pasi u arrestua në Nju Jork nën dyshimet për komplot terrorist të frymëzuar nga al-Kaida

I jati i të riut nga Bangladeshi që u arrestua nën dyshimet për komplot për hedhjen në erë të ndërtesës së Rezervës Federale në Shtetet e Bashkuara ka mohuar përfshirjen e të birit në incident.

Quazi Mohammad Rezwanul Ahsan Nafis doli para një gjykate federale dje pasi u arrestua në Manhatanin e poshtëm nën dyshimet se kishte në plan të aktivizonte lëndë shpërthyese në një mision vetëvrasës të frymëzuar nga al-Kaida. Zyrtarët thanë se ai u arrestua në një operacion kurth dhe se nuk kishte të dyshuar të tjerë të përfshirë.

I jati i tij, Quazi Mohammad Ahsanullah, tha sot se i biri i tij nuk ishte ekstremist fetar dhe nuk mund të ketë qënë i përfshirë në një komplot terrorist.

Agjencia e lajmeve Reuters e citoi atë të ketë thënë se arrestimi i djalit të tij ishte pjesë e një konspiracioni racist.

Ahsanullah është nënpresidenti i Bankës Kombëtare, banka më e madhe në sektorin privat në Bangladesh.

Policia e arrestoi 21-vjeçarin Mohammad Ahsan Nafis pasi i dha atij lëndë shpërthyese të rreme duke e joshur të vepronte.

Autoritetet federale i thanë mbrëmë një gjykatësi në Nju Jork se Nafis kishte në plan të hidhte në erë një mikrobus me lëndë shpërthyese në një mision vetvrasës.

Sipas zyrtarëve, Nafis vëzhgohej nga afër dhe publiku nuk u vu kurrë në rrezik. Ai po mbahet në gjendje arresti pa të drejtë lirimi me kusht.

XS
SM
MD
LG