Lidhje

Greva e urisë në ditën e 28


Greva e urisë e një grupi ish të burgosurish politikë të diktaturës komuniste vazhdoi edhe sot në ditën e 28. Ata deklarojnë se janë të vendosur të vazhdojnë protestën, duke kërkuar dëmshpërblimet e burgimit politik të padrejtë, për të cilin kanë fituar pafajësinë.

Gjendja shëndetësore e grevistëve të urisë rëndohet çdo ditë e më shumë. Brenda në mjediset e grevës kanë mbetur vetëm 7 grevistë, nga 25 që e nisën fillimisht. Grevistët refuzuan sot mjekimet nëpër spitale, sepse, siç thonë ata, policia nuk i lejon më që të kthehen në grevë, duke e përdorur mjekimin si një rrugë për të pakësuar numrin e tyre.

Ndonëse greva kaloi javën e katërt, ende nuk është zhvilluar asnjë bisedim mes protestuesve dhe autoriteteve shtetërore. Përfaqësues të qeverisë deklarojnë se greva është e motivuar politikisht, ndërsa ligji për dëmshpërblimet e mijëra ish të burgosurve politikë po zbatohet rregullisht.

Diplomatë perëndimorë dhe organizata të të drejtave njerëzore po bëjnë thirrje për dialog mes palëve, në mënyrë që kërkesat e tyre ekonomike të plotësohen dhe greva të mbyllet. Komiteti Shqiptar i Helsnikit bëri sot thirrje për dialog konstruktiv mes qeverisë dhe këtyre qytetarëve në protestë për zgjidhjen e kërkesave të tyre të ligjshme.

Në deklaratën e Komitetit të Helsinkit theksohet se protesta është një e drejtë themelore e njeriut dhe dialogu është mjet i duhur në një shtet demokratik. “Një dialog konstruktiv me grevistët mund të parandalonte edhe përpjekjet për vetëflijim, që janë ndërmarrë nga disa grevistë” - deklaroi Komiteti i Helsinkit.
XS
SM
MD
LG