Lidhje

Vdiq ish-kandidati për President George McGovern


George GcGovern
George GcGovern

Zoti McGovern la gjurmë si ish-pjesëtar i ushtrisë amerikane dhe aktivist për paqen

George McGovern, ish-ligjvënës amerikan dhe kandidat demokrat për president që humbi përballë Richard Nixonit në vitin 1972, vdiq në moshën 90 vjeçare. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Rob Sivak sjell hollësi për jetën e një figure që la gjurmë si ushtar dhe aktivist për paqen:

George McGovern ishte nderuar disa herë për rolin e tij si pilot luftarak në Luftën e Dytë Botërore. Përvoja në luftë ia ndryshoi politikanit të ardhshëm pikëpamjet për jetën dhe vdekjen.
“Ndjenja që pata pas luftës, sidomos pas shpërthimit të bombës atomike që shkatërroi dy qytete të mëdha japoneze, ishte se ne duhet të bënim diçka që t’i ndalonim këto lloj luftrash barbare. Prandaj mendoj se që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, unë jam angazhuar në përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjet me vendet e tjera pa luftë nëse është e mundur”.
Pas luftës, zoti McGovern u kthye në shtetin e tij të Dakotës së Jugut, ku u bë pedagog historie dhe shkencash politike. Në vitin 1956, ai kandidoi për t’u bërë anëtar i Kongresit dhe fitoi. Ai u bë i njohur si aktivist në mbrojtje të fermerëve amerikanë. Ai u zgjodh në Senatin amerikan në vitin 1962.
Në vitin 1972, në vitin e shtatë të Luftës së Vietnamit, Senatori McGovern u emërua si kandidati i Partisë Demokrate për President. Ai ishte në garë me Presidentin Richard Nixon me një platformë që mbështeste tërheqjen e njëanshme të trupave amerikane nga Vietnami në këmbim për kthimin e të burgosurve amerikanë të luftës. Nuk ishte një platformë shumë popullore dhe ndikoi në humbjen e tij të thellë.
Ai e humbi vendin e senatit në vitin 1980, por vazhdoi të ishte aktiv në politikë duke punuar për çështje liberale dhe duke mbështetur kandidatë liberalë. Ai udhëtoi në gjithë botën për të dhënë leksione dhe shërbeu si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Agjencinë e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë. Ai u largua nga ai post me angazhimin për të luftuar urinë në Shtetet e Bashkuara dhe në botë. Në vitin 2000, Presidenti Bill Clinton e nderoi zotin McGovern me medaljen Presidenciale të Lirisë, nderimi më i rëndësishëm për civilët, ndërsa në vitin 2008 ai dhe ish-senatori Robert Dole u nderuan me Çmimin Botëror të Ushqimit.
George McGovern ishte një nga figurat kryesore për lëvizjen për paqe në Amerikë, duke ngritur zërin kundër luftës në Irak, duke e krahasuar atë luftë me luftën e Vietnamit.
“Mendoj se ishte gabim ndërhyrja në Vietnam, një vend që nuk përbënte kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe nuk donte asgjë tjetër përveçse të njihej si një qeveri legjitime. Edhe ndërhyrja në Irak ishte gabim, pasi as ky vend nuk përbënte kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe nuk kishte asnjë lidhje me 11 shtatorin. Disa nga udhëheqësit tanë duket se mendojnë se po luftojmë terrorizmin në Irak. Unë mendoj se ne po shkaktojnë terrorizëm atje. Kryengritja u krijua dhe u konsolidua si kundërpeshë ndaj pranisë së ushtrisë amerikane në mes të një vendi të huaj”.
Zoti McGovern sillte perspektivën e një politikani dhe historiani në politikë.
“Nuk është turp që të marrësh një vendim dhe të pranosh më pas që ishte i gabuar. Është thjesht një mënyrë tjetër që të thuash ‘sot jam më i mençur se dje’. S’ka asgjë të keqe në një pohim të tillë”.
Para se të vdiste, në tetor, George McGovern po promovonte librin e tij të 14-të dhe të fundit “Ç’do të thotë të jesh demokrat”.
XS
SM
MD
LG