Lidhje

Politikat e energjisë në fushatën presidenciale


Presidenti Barack Obama dhe ish-guvernatori i Masaçusetsit Mitt Romney janë në një mendje se Shtetet e Bashkuara janë shumë të varura tek nafta e huaj. Por pikëpamjet e tyre janë shumë të ndryshme për mënyrën sesi ta pakësojnë apo edhe t’i japin fund kësaj varësie.

Presidenti Obama ka qenë mbrojtës i shtimit të burimeve të energjisë së ripërtëritshme, si ajo e erës dhe diellore, për të cilat ai thotë se kanë perspektivë.

Mitt Romney mbështet rritjen e nivelit të prodhimit të hidrokarbureve, përfshirë qymyrin, që në Shtetet e Bashkuara është në sasi të bollshme.

Qendra për zgjidhje klime dhe energjie botoi një udhëzues për votuesit lidhur me qëndrimet e kandidatëve për politikat e energjisë. Nënpresidenti i qendrës Manik Roy.

“Mendoj se guvernatori Romney është përqendruar më shumë tek furnizimi veçanërisht përmes burimeve konvencionale si nafta dhe qymyri. Presidenti Obama, megjithëse i interesuar në këtë drejtim, është përqendruar edhe në teknologjitë për energji të pastër dhe në uljen e kërkesës për naftë”.

Dy kandidatët debatuan për efektivititetin e politikave të tyre në uljen e varësisë së Amerikës tek nafta e huaj. Mbrojtja dhe hapja e vendeve të punës ishte një çështje tjetër e rëndësishme, ndërkohë që rimëkëmbja është e ngadaltë, me papunësinë afro tetë për qind.

“Duhet të mendojmë edhe për të ardhmen. Për këtë arsye ne përgjysmuam kunsumin e naftës tek makinat. Kjo do të thotë që në mes të dekadës së ardhshme, çdo makinë që blen mund të përshkojë dyfishin e distancës me të njëjtën sasi karburanti. Prandaj e kemi dyfishuar prodhimin e energjisë së pastër, si ajo e erës dhe diellore. Kjo ka kontribuar në pakësimin e importit të naftës në nivelin më të ulët në 16 vjet. Ne kemi mundësinë të hapim 600 mijë vende pune dhe energji për 100 vjet nën këmbët tona me gaz natyral. Dhe mund ta bëjmë në një mënyrë që nuk dëmton ambjentin”, tha zoti Obama.


“Unë kam besim tek aftësitë tona për energji të ripërtëritshme: etanoli, era, energjia diellore do të jenë shumë të rëndësishme si burime. Por ne nuk na duhet që Presidenti të na pengojë të përdorim naftën, qymyrin dhe gazin. Duhet të flasësh me ata që punojnë në këto industri. Unë kam vizituar zona ku ka miniera. Njerëzit më luteshin që t’i shpëtoja vendin e punës. Nëse bëjmë atë që sugjeroj unë, që do të thotë të bëhemi të pavarur nga pikëpamja e energjisë, do të shihni që do shtohen vendet e punës të prodhimit falë kostos së ulët të energjisë”, tha zoti Romney.

Sipas Departamentit të Energjisë, Shtetet e Bashkuara kanë importuar më pak se gjysmën e naftës që kanë konsumuar vitin e kaluar, një ulje në krahasim me 60 për qind, para gjashtë vjetësh.


Konsumi i benzinës ka rënë në nivelin më të ulët që prej dhjetë vjetësh. Prodhimi i naftës në Shtetet e Bashkuara u rrit gjatë mandatit të zotit Obama, por jo aq shumë sa do zoti Romney. Presidenti Obama e shtyu miratimin e zgjatjes së naftësjellësit Keystone nga Kanadaja, duke kërkuar më shumë studime për ndikimin e tij tek mjedisi. Ish-guvernatori Romney thotë se kjo shtyrje rriti çmimin e naftës.


Atëherë çfarë ndiikimi ka presidenti tek prodhimi dhe çmimi i gazit në tregun global të naftës.

“Për krijimin e energjisë, shpimin për naftë, ndikimi është relativisht i ulët. Kjo ndodh kryesisht në tregun privat, në tregun ndërkombëtar. Këtu kemi një pjesë të vogël rezervave botërore të energjisë. Edhe nëse e zgjerojmë prodhimin shumë, do të ishte një sasi e vogël”.

Gjatë pesë viteve të fundit, përparimet në teknologji kanë zbuluar një sasi të madhe gazi natyror në Shtetet e Bashkuara. Prodhimi është rritur dhe kostoja është ulur jashtëzakonisht.

Të dy kandidatët e mbështesin këtë metodë, pavarësisht nga rreziku për mjedisin. Por ata kanë mendime të ndryshme për raportin e burimeve konvencionale dhe atyre të ripërtëritshme.


Por çfarë duan njerëzit? Sipas disa anketave, thotë zoti Roy, ata duan gjithçka: çmime të ulëta, vendet e punës dhe pavarësi nga karburanti i huaj, si edhe mbrojtjen e mjedisit.
XS
SM
MD
LG