Lidhje

SHBA: Zgjerohet biznesi i kontrollit të mushkonjave


Sëmundja që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor është konfirmuar në 48 shtete amerikane. Përhapja e virusit është rezultat i një dimri të butë dhe pranverës së lagësht. Ekspertët e shëndetësisë thonë se një nga mënyrat më të efektshme për parandalimin e kësaj sëmundje që mund të jetë vdekjeprurëse është eliminimi i mushkonjave që janë mbartëse të virusit të Nilit përëndimor. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Faizal Elmasry, ky është lajm i mirë për bizneset e kontrollit të insekteve.

Katër vite më parë, rreth shtëpisë dhe lagjes së Stephanie Sample nga Virxhinia kishte shumë mushkonja.

“Mushkonja futeshin në makinë në momentin që hapja derën dhe pastaj gjatë ngarjes së makinës ato na pickonin”.

Prandaj, ajo kërkoi ndihmë nga një kompani që merret me eliminimin e mushkonjave. Pronari i kompanisë, Damien Sanchez, thotë se spërkatja eliminon mushkonjat dhe ka një ndikim parandalues.

“Kjo metodë është e efektshme sepse mushkonjat strehohen në brendësi të gjetheve, në hije, rajone të cilat ne i spërkasim dhe në momentin kur mushkonja bien në kontakt me kimikatet ato ngordhin”.

Që kur themeloi kompaninë pesë vite më parë, zoti Sanchez thotë se kërkesat për shërbimet që ai ofron janë rritur, veçanërishtë këtë vit.

“Pas përhapjes së virusit të Nilit përëndimor, njerëzit filluan ta kuptonin rolin e mushkonjave në përhapjen e tij. Kjo bëri që shumë banorë të kërkonin spërkatjen e mjediseve rreth shtëpisë së tyre. Volumi i shitjes u rrit 10 herë më shumë”.

Kjo nuk e befason ekspertin e mushkonjave Jorges Arias, zyrtar i departamentit të shëndetësisë në bashkinë e Fairfaksit në Virxhinia.

“Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve ka raportuar mbi 3 mijë e 100 raste të virusit të Nilit përëndimor në Shtetet e Bashkuara. Deri tani, 130 njerëz kanë vdekur nga ky virus”.

Shumica e njerëzve të infektuar nga virusi i Nilit nuk shfaqin simptoma dhe shërohen plotësisht. Rreth 20 për qind prej tyre kanë dhimbje koke, dhimbje muskujsh dhe temperaturë të lartë.

“Por një për qind e këtij 20 për qindshi mund të marrë infeksione në sistemin nervor dhe mund të preken nga encefaliti ose meningjiti. Këto janë sëmundje me të rënda. Njerëzit e prekur nga këto sëmundje bien në komë dhe një pjesë e tyre vdesin”.

Entomologjisti flet nga përvoja. Zoti Arias vitin e kaluar u infektua me virusin e Nilit përëndimor. Ai ishte në gjendje kome për 6 ditë dhe ka patur probleme neurologjike. Ai nuk mund të rrinte ulur dhe nuk mund të ecte.

“Isha në terapi për gjashtë muaj dhe pastaj më mori edhe 4 muaj të tjerë për të rifituar aftësinë për të ecur. Tani mund të eci”.

Ai thotë se ndërgjegjësimi është thelbësor për parandalimin e kësaj sëmundjeje. Zyra e zotit Arias përgatit dhe shpërndan dhjetëra publikime me informacione për mbrojtjen e individëve dhe familjeve të tyre nga virusi i Nilit perëndimor.

“Përdorni kimikatet që ju mbrojnë nga insektet. Duhet të visheni me rroba me mëngë të gjata, me ngjyrë të çelur sepse mushkonjat pëlqejnë rrobat me ngjyrë të errët. Eliminoni rajonet me ujë rreth shtëpisë suaj ose spërkatni ato me kimikate”.

Këto masa duhet të merren sepse mushkonjat shumëzohen në ujëra të qeta. Industria e kontrollit të mushkonjave ka të ngjarë të ketë shumë punë ndërkohë që virusi i Nilit përëndimor vazhdon të kërcënojë Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG