Lidhje

Klasa e re e privilegjeve në Kinë


Në Kinë është krijuar një grup milionerësh dhe miliarderësh të fuqishëm që kur vendi u hap për ekonominë e tregut. Në këtë grup dallojnë të ashtu-quajturit ‘princat e vegjël’, një term që përfshin fëmijët e funksionarëve të lartë të partisë. Në vazhdim i hedhim një vështrim kësaj klase fisnikësh pa tituj:

Me ceremoni madhështore u organizuar Kongresi i Partisë Komuniste për të zgjedhur brezin e udhëheqësve të rinj.

Shumë prej tyre janë bijtë e ish-funksionarëve të lartë të partisë. Ata njihen me termin ‘princat e rinj’ pasi kanë arritur status politik, kryesisht falë lidhjeve familjare. Në shumë raste, shpjegon gazetari Hu Ping përmes lidhjes me Skype, shumë prej tyre grumbullojnë edhe pasuri në procesin e ngritjes politike:

Kanë mënyra të shumta për të grumbulluar pasuri të madhe, për shembull monopolizojnë tregun dhe marrin kontrata qeveritare. Hu Haifeng, djali i Hu Jintaos e pasqyron më së miri këtë prirje. Ai ishte më parë president i kompanisë Nuctech. Në fund të vitit 2006, kompania siguroi një kontratë qeveritare për të pajisur aeroportet e Kinës me skaner për të zbuluar eksplozivë të lëngshëm. Në këtë mënyrë ata bënë fitime të mëdha në një formë që duket e ligjshme. Aktiviteti në bursë duke shfrytëzuar informata të brendshme është një mënyrë tjetër”.

Një artikull i fundit i New York Times thotë se të afërmit e Wen Jiabaos kanë grumbulluar më shumë se 2.7 miliardë dollarë gjatë periudhës që ai ka qenë kryeministër. Pasuria është e fshehur në bono, investime financiare, aksione në kompani komunikacioni, apo pika pushimi.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme në Kinë Hong Lei shprehet se artikulli bën shpifje.“Artikulli që njollos emrin e Kinës ka motive të tjera”.

A
nëtarë të tjerë të Komitetit të Byrosë Politike kanë pjesëtarë të familjes me lidhje të forta me biznesin.

Dhëndri i Kryetarit aktual të Partisë Komuniste, Hu Jintao, ishte më parë Shefi Financiar i Sina.com, faqja më e madhe elektronike në Kinë. Në vitin 2003 llogaritej që ai të kishte nga 35-60 milionë dollarë.

Djali i anëtarit të Komitetit të Byrosë Politike Li Changchun është drejtues i lartë i kompanisë shtetërore China Mobile, një gjigand në telekomunikacion.

Në fillim të vitit, grupi mediatik Bloomberg News njoftoi se motra dhe të afërm të tjerë të Presidentit të ri kinez Xi Jinping kanë më shumë se 100 milionë dollarë si pasuri familjare.

E gjithë kjo pasuri është grumbulluar ndërkohë që Partia vazhdon të këmbëngulë se përfaqëson interesat bazë të klasës punëtore dhe kryeministri Wen Jiabao zotohej të godiste korrupsionin.

“Për sa u përket këtyre anëtarëve të korruptuar të partisë, nuk ka rëndësi në ç’sektor ndodh korrupsioni apo kë përfshin, nuk ka rëndësi nëse mbajnë poste të larta, ata do ndëshkohen sipas ligjit”.

Bo Xilai, djali i një funksionari të lartë të partisë, pritej të bëhej anëtar i Komitetit Qendror të Byrosë Politike, pas ndryshimeve në udhëheqje.

Por ai u përjashtua nga partia nën akuzat për korrupsion, pasi bashkëshortja e tij u shpall fajtore për vrasjen e një biznesmeni britanik lidhur me një mosmarrëveshje për biznesin.
XS
SM
MD
LG