Lidhje

Shkëputja nga Unioni, ide pa përkrahje


Amerikanët në disa shtete kanë paraqitur peticione në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë ku bëjnë thirrje për shtetet e tyre të shkëputet nga Unioni. Peticioni online me më shumë nënshkrime vjen nga Teksasi dhe është postuar tre ditë pasi Presidenti Obama u ri-zgjodh. Por gjithësesi, shumica e teksanëve nuk e marrin seriozisht idenë e shkëputjes.

Ushqimi teksan është në menu, dhe shkëputja nga Unioni është tema në këtë restorant pranë Houstonit.

Lëvizja Nacionaliste e Texasit po e nxit idenë, edhe pse peticioni për shkëputje nuk është nisma e këtij grupi. Drejtori i lëvizjes, Cary Wise thotë se njerëzit këtu janë të shqetësuar rreth borxhit të qeverisë federale.

"Kur qeveria federale nuk mund t'a paguajë borxhin, atëherë barra u bie shteteve, jo vetëm Texasit, por të gjithë shteteve."

Njerëzit ankohen në lidhje me shpenzimet e shumta të qeverisë federale. Disa thonë se peticioni për shkëputje nga Shtetet e Bashkuara është i drejtë, të tjerë thonë se kjo ide është qesharake.

Peticioni për shkëputjen e Teksasit është mes peticioneve nga shtetet e tjera që u shfaqën në websajtin e Shtëpisë së Bardhë pasi Presidenti Obama u ri-zgjodh në detyre.

Mbështetja më e madhe duket se vjen nga shtetet që votuan për rivalin e tij republikan, Mitt Romney, dhe, që si Teksasi, dikur u shkëputën nga Unioni - duke shkaktuar Luftën Civile Amerikane.

Rizgjedhja e zotit Obama nuk është përmendur si arsye për shkëputje.

Por peticioni i Texasit pretendon, ndër të tjera, se qeveria federale e ka tejkaluar pushtetin e saj. Peticioni është nënshkruar nga më shumë se 115 mijë banorë nga Teksasi.

Profesor Mark Jones, i shkencave politike në Universitetin Rice në Houston, dyshon se Teksasi do të shkëputet ndonjëherë.

"Ky është thjesht një teatër politik, se sa realiteti. Kjo nuk është një lëvizje e vërtetë separatiste. Ju nuk keni asnjë aktor serioz politik prapa kësaj lëvizjeje."

Prof. Jones thotë se nënshkrimet në peticion përfaqësojnë një pjesë të vogël të Teksasit me 25 milionë banorë.

"Ky peticion filloi si një shaka nga një gjimnazist në zonën Dallas-Fort Worth, madje shumë prej njerëzve që kanë nënshkruar nuk janë as nga Teksasi."

Kjo për shkak se gjithkush mund të regjistrohet në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë dhe të nënshkruajë peticionin.

Në banketin e nacionalistëve morrën pjesë rreth 20 njerëz, por si Gina, ata erdhën kryesisht për të dëgjuar.

"Unë vërtetë nuk e di se shkëputja është me të vërtetë një mundësi, por nëse do të ishte e mundshme, ajo mund të bëhet këtu".

Dhe ndërsa jo të gjithë janë dakord, profesor Jones thotë se nënshkrimi i peticionit është një mënyrë e lehtë për shprehur zhgënjimin me Uashingtonin zyrtar.
XS
SM
MD
LG