Lidhje

Shitjet me rastin e festave nëpër botë


Blerësit shkuan në dyqane me rastin e festave me shpresë që të gjenin çmimet më të mira të minutës së fundit për Krishtlindje, por sipas treguesve paraprakë, ata nuk shpenzuan sa vitet e kaluara. Megjithë uljet e mëdha të çmimeve, disa shitës thonë se 2012 nuk ishte një vit i mirë. Dhe nëpër botë, blerësit nuk ishin optimist, madje të pasigurtë se si do të jetë gjendja e tyre ekonomike vitin e ardhshëm.

Në qendrat e dyqaneve, sheshet e parkimit ishin plot, ndërsa mijëra blerës të minutës së fundit vërshuan në komplekset tregëtare plot me njerëz.
Por grumbujt e mëdhenj të klientëve maskojnë shqetësime më të mëdha. Besimi mes konsumatorëve ka rënë në nivelin më të ulët në 6 muaj dhe shitësit thonë se klientët nuk duket se po shpenzojnë aq shumë.

Dana Mattioli mbulon prirjet e shitjeve për gazetën Wall Street Journal.

“Të gjithë shitësit i ka kapur paniku sepse nuk ka qënë një sezon i mirë festash”.

Por nëse besimi i dobët i konsumatorëve shqetëson shitësit, blerësit thonë se në mëndje ata kanë gjëra të tjera.

“Më duhet të blej dhurata për gruan dhe 3 djemtë, ndërkohë që vjeri dhe vjera do të na vizitojnë dhe atmosfera do të jetë paksa e tensionuar”.

Në Greqi, megjithë zbukurimet festive, nuk flitet për besimin e konsumatorve, por për realitetin ekonomik. Pas 6 vjet recesioni, grekët presin masa edhe më të ashpra ekonomike vitin a ardhshëm. Dhe ndërsa blerësit në Athinë shikojnë vitrinat e zbukuruara të dyqaneve, pak prej tyre i shikon me çanta në duar.
Një pensionist thotë se pasi paguan qeranë dhe ushqimet, ai nuk ka më para për festat.

“Asgjë, vështirësitë ekonomike janë kaq të mëdha saqë ne nuk mund të blejmë gjë tjetër”.
Në Spanjë, ku papunësia është 26 për qind, pronarët e dyqaneve po i ulin çmimet për të tërhequr konsumatorët. Por kasapi Emilio Perez thotë se konsumatorët kanë më pak para për të shpenzuar.

“Ne po shesim 20 deri 30 për qind më pak se sa vitin e kaluar. Njerëzit e kanë humbur edhe atë fuqi blerëse që kishin dhe kjo mund të ndjehet nga të gjithë”.
Por në Ganë, ku njerzit kanë më pak para dhe inflacioni është 9.3 për qind, disa blerës ishin më optimistë.

“I gjithë sistemi nuk ka fonde, por ne nuk do të mendojmë shumë rreth këtij aspekti. Me që kemi jetën, ne do të bëjmë diçka për fëmijët dhe për të dashurit tanë”.
Por shitësit amerikanë, të cilët patën një fillim të mbarë të sezonit të festave muajin e kaluar, nuk janë gati të heqin dorë.
Analisti i shitjeve Bill Martin thotë se ka mbetur edhe një javë blerjesh për festat deri në fund të vitit.

“Shitësit shpresojnë që në fundjavën e fundit të vitit konsumatorët të kthehen për të blerë dhe të sjellin rezultate të forta shitjesh”.
Në mbarë botën, shqetësimi më i madh ka të bëjë me faktin nëse ligjvënësit amerikanë do ta çojnë ekonominë e vendit në recesion në se nuk arrijnë marrëveshje për buxhetin. Megjithë kërcënimin e tronditjeve ekonomike si pasojë e taksave më të larta dhe shkurtimeve automatike të shpenzimeve, asnjë parti politike nuk duket e gatshme të lëshojë pe për të arritur një marrëveshje buxhetore para fundit të vitit.
XS
SM
MD
LG