Lidhje

Kuzhina moderne


Një firmë italiane ka prezantuar për konsumatorët në Hollivud një kuzhinë të re, thuajse të padallueshme nga dhoma e ndenjes. Kuzhina moderne sot nuk duket se përpiqet të tërheqë vizitorët me pajisjet moderne, apo dollapet e bollshme. Prirja e re pasqyron një prirje të përgjithshme të konsumatorit amerikan për të shkrirë sa më shumë që të jetë e mundur mjediset e gatimit me ato të jetës së përbashkët familjare.

Në pamje të parë të duket se ke hyrë në një dhomë ndenje, por je në fakt në kuzhinën e banesës. Pajisjet, banakët dhe sirtaret janë të fshehura nga syri. Soba shërben njëkohësisht edhe si tryezë për ngrënie. Ventilatorët janë të fshehur, çdo gjë është projektuar me synimin që të krijojë përshtypjen e një mjedisi banimi.

Kuzhina moderne pasqyron mënyrën moderne të jetesës – mjedisi i gatimit ndërthuret me mjediset për punët e përditshme dhe kohën e përbashkët familjare.

Është ide e mirë që rrëmuja që shkaktohet gjatë gatimit të fshihet me lehtësi, por nuk është e arritshme për këdo – kjo kuxhinë moderne kushton 163 mijë dollarë. Ajo njihet si kuzhina metropolitane dhe ofrohet nga një studio arkitekturore italiane e cila e ka prezantuar për klientët amerikanë në dyqanin Pacific Design Center në Hollivud. Gordon Hsing, një ndër specialistët pranë kësaj kompanie, shpjegon:

“Dollapet kanë një lustër metalike sipër, të ngjashme me bojën e makinave BMW apo Mercedes. Po ashtu druri me të cilin janë punuar dyert e dollapeve, është trajtuar me teknologji speciale, që e bën shumë të bukur nga pamja dhe shumë rezistent. Kuzhina e re ofron gjithashtu pajisje të përmasave nga më të ndryshmet, të cilat mund të fshihen pas dyerve të dollapeve”.

Kombinimi i ngjyrave bëhet në bazë të kontinentit ku do të instalohet kuzhina. Në Evropë preferohen ngjyra të ndezura, si portokalli apo e gjelbër, ndërsa në Amerikën e Veriut preferohen ngjyra neutrale ose të ftohta si e bardhë apo gri. Pajisjet janë me veshje inoksi.

Njerëzit janë lodhur nga pamja e kuzhinave tradicionale, ku bie në sy ventilatori i madh. Tani ventilatori është fshehur pas llampadarëve elegantë.

Arkitektët thonë se ky stil është i përshtatshëm për banesa më të vogla në madhësi. Që pas krizës së vitit 2008, konsumatorët amerikanë filluan të rezervohen dhe të zgjedhin banesa më të vogla. Edhe për ata amerikanë që nuk u prekën nga kriza, preferenca tani anon nga banesa më të ngrohta dhe më intime:

“Po ndërtojmë vila më të vogla. Njerëzit nuk duken shumë të interesuar për hapësira tepër të mëdha. Nuk mendoj se i detyron vlera monetare. Shumë nga klientët tanë mund të blejnë çfarë të duan, por ata nuk janë të interesuar më për ektreme”.

Një tjetër prirje e re për vitin 2013 – njerëzit duket se po kthehen tek materialet bazë të ndërtimit, duke preferuar gurin natyror, kuarcin, por në raste të klientëve që i kushtojnë vëmendje kostos, porcelani po zëvendëson mermerin.
XS
SM
MD
LG