Lidhje

Kolegji përgatit brezin e ardhshëm të fermerëve


Në Kolegjin Sterling, më i vogli në Shtetet e Bashkuara që ndodhet në Craftsbury Common të shtetit Vermont, po arsimohet brezi i ardhshëm fermerëve të vendit. Me një përqendrim në anën praktike të arsimimit, ky kolegj i vogël u mëson studentëve teknikat e vjetra të bujqësisë organike, teknikat moderne të punimit të tokës, bujqësinë me burime të qëndrueshme, madje dhe energjinë e pastër alternative.

Ky është kolegji i vetëm në Amerikë, ku çdo ditë studentët që vijnë në klasë sjellin një sëpatë të mprehtë. Klasa është një fermë në fushat e Craftbury Common, ku studentët duhet të mendojnë dhe të veprojnë si fermerë.
Këtu, të gjithë studentët punojnë.

Programi mësimor në këtë kolegj është përshtatur për studimin e mjedisit, dhe si pjesë e arsimimit të tyre, studentët kanë shumë përgjegjësi dhe detyra në fermë, kuzhinë, konvikte, dhe në klasa.

Këtu, dega më e pëlqyer është bujqësia me burime të qëndrueshme, pastaj vjen ekologjia.

Tim Patterson, i lindur dhe rritur në këtë qytet, punon në Kolegjin Sterling.
Ai thotë se toka e kësaj ferme në zemër të këtij qyteti të vogël është një laborator në qiell të hapur për brezat e rinj të fermerëve.

“Pjesa verilindore e Vermontit është një rajon tradicional dhe rural. Ne jemi një rajon aq i vogël sa që kolegji ynë mund të ketë një farë ndikimi në plotësimin e nevojave bujqësore pra në krijimin e një bujqësie të qëndrueshme. Popullsia e vogël në rajonin tonë rural e bën të mundur zbatimin e projekteve të këtij lloji. Ne nuk kemi popullsi të madhe si qendrat e mëdha urbane ku zbatimi i ndryshimeve mund të jetë më i vështirë”.

Kolegji Sterling është katër-vjeçar. Këtu mësimi zhvillohet gjatë gjithë vitit.
Kjo e bën ndjekjen e studimeve në kolegj më të përballueshëm për studentët, duke i lejuar ata të mbarojnë studimet brenda tre viteve.

Orari është ideal për studentët e regjistruar në programin e bujqësisë sepse ata mund të mësojnë ciklin e plotë të kultivimit të bimëve.
Molly Cyr është studente në këtë kolegj. Pas dy vitesh, ajo do të jetë një fermere e arsimuar dhe me mjetet e nevojshme për të punuar tokën në një mënyrë të qëndrueshme.

“Çdo gjë që ne bëjmë këtu në Kolegjin Sterling varet nga mënyra se si punojmë dhe pasi të gjithë kanë ardhur këtu për të punuar, mësimi është një proces i lehtë”.

Cyr thotë se sot gjithnjë e më shumë konsumatorë pyesin për burimin e ushqimit që konsumojnë. Ata kërkojnë prodhime vendore me cilësi të lartë si dhe ushqime organike të freskëta.

Në këtë kolegj, studentët e përgatisin dhe e gatuajnë vetë ushqimin. Kolegji nuk ka kontratë me të tjerë për mencën e tij.

Profesorët, personeli, dhe studentët e kolegjit e kanë filluar riciklimin para më shumë se tre dekadash. Praktikat për ruajtjen e mjedisit dhe për krijimin e një mjedisi të gjelbër në këtë kolegj fillojnë që në mencë, ku ushqimi i tepërt dërgohet për dekompozim.

Rreth 10 mijë tonë mbetje ushqimore në vit riciklohen. Në mencë nuk përdoren enë plastike me një përdorim.

Në vitin 2010, Kolegji Sterling filloi të përdorë këta hangarë me energji diellore dhe energji të erës për t’i njohur studentët me prodhimin e energjisë së ripërtëritshme, pra për t’i bërë fushat më të “gjelbëra” dhe më të qëndrueshme.
Kolegji ka rreth 120 studentë dhe 25 për qind e tyre janë nga Vermonti.
Çdo vit, diplomohen 15-20 studentë, duke u bërë jo vetëm brezi i ardhshëm i fermerëve, por edhe njerëz të arsimuar të cilët mund ta drejtojnë industrinë e ushqimit dhe bujqësisë drejt qëndrueshmërisë përsa i përket burimeve.



XS
SM
MD
LG