Lidhje

Bashkëpunimi mes Kinës dhe Hollywood-it


Kina është tregu i dytë më i madh për filmat, mbas Amerikës së Veriut. Të ardhurat nga shitja e biletave nëpër kinematë kineze janë shtuar me 30% në vit. Kina po zgjeron edhe bashkëpunimin në industrinë argëtuese me Hollywoodin dhe kjo po ndryshon disi mënyrën e biznesit të Hollywoodit.

Një ushtri e huaj pushtoi Shtetet e Bashkuara në riprodhimin e filmit Red Dawn vitin e kaluar. Por producentët bënë një ndryshim përpara se filmi të shfaqej. Historia e amerikanëve, që luftonin me të huajt, kishte ushtarë kinezë në rolin e armiqëve. Tani, ata janë ushtarë të Koresë së Veriut - dhe publiku kinez nuk ofendohet.

Disa filma të njohur me veprim kanë lidhje me Kinën. Filmi që pritet të dalë “IRON MAN 3” është xhiruar pjesërisht në Kinë, dhe skenari i tij është shqyrtuar me kujdes nga zyrtarët kinezë.

Gjithashtu ndjenjat e kinezëve ndikuan në filmin epik “2012”, thotë Stanley Rosen i Universitetit të Kalifornisë së Jugut. Ai studion industrinë kineze të filmit.

“Edhe nëse nuk xhiron në Kinë, një film si “2012” duhet të jetë shumë i kujdesshëm në përfshirjen e referencave pozitive për Kinën. Një referencë negative thjesht dëmton rëndë tregun”.

Filmi i fundit me spiunazh “Skyfall” pati skena që u heqën për shikuesit kinezë.

Por shikuesit kinezë i duan filmat e mëdhenj me efekte speciale, ndaj filmat e Hollywood-it sigurojnë gjysmën e të ardhurave nga kinematë kineze.

Aktorja e lindur në Kinë Lisa Lu interpreton perandoreshën e moshuar në filmin epik të Bernardo Bertolucit të vitit 1987 “Perandori i fundit”, një bashkëprodhim kinez i xhiruar kryesisht në Kinë.

Ajo thotë se tregu i sotëm ka krijuar role të mira për aktorët aziatikë.
Kjo nuk ishte e vërtetë në vitet 1950.

“Skenaret e atëhershëm kishin vetëm role punëtoresh, pastruesesh apo gra të moshuara kineze që kishin një restorant”.
Zgjerimi i klasës së mesme në Kinë i ka dhënë shtytje industrisë kineze të filmit.

Komedia e vitit të kaluar “Lost in Thailand” e regjisorit Xu Zheng ishte sukses i madh për sa i përket të ardhurave, duke u renditur e dyta në Kinë për fitimin e saj mbas filmit Avatar.
Kina është tërheqëse edhe për sheshet e xhirimeve me kosto të ulët dhe pika të shumta xhirimi, thotë Lisa Lu.

“Atje mund të gjesh çfarë të duash”.
Studiot e Hollywood-it po gjejnë partnerë kinezë për bashkëpunimet e tyre dhe kompanitë Disney dhe DreamWorks Animations po investojnë në pikat turistike në Shangai, thotë Stanley Rosen.

“Është një marrëdhënie në zhvillim. Hollywoodi ka nevojë për Kinën, ndërsa tregu në Amerikën e Veriut nuk po zgjerohet. Por edhe Kina ka nevojë për Hollywood-in, pasi shohim kompanitë DreamWorks apo Disney që po shkojnë atje”.
Edhe Kina po vjen në Hollywood. Kompania kineze TCL ka blerë të drejtën e emrit për kinemanë historike kineze Grauman në bulevardin e Hollywood-it. Edhe konglomerati kinez, grupi Dalian Wanda ka blerë rrjetin e madh të kinemave amerikane, AMC. Lidhjet mes Kinës dhe Hollywood-it pritet të shtohen edhe më tej në atë ardhmen.
XS
SM
MD
LG