Lidhje

Përvoja në Vietnam e Sekretarëve të sapoemëruar


Për herë të parë në historinë e Shteteve të Bashkuara, dy veteranë të luftës në Vietnam do të drejtojnë departamente qeveritare kyçe. Senatori John Kerry ishte zgjedhja e Presidentit për postin e Sekretarit të Shtetit, ndërsa ish Senatori Chuck Hagel, u propozua prej tij si Sekretar i Mbrojtjes. Materiali në vazhdim tregon se si përvoja e tyre në luftë mund të ndikojë në vendimet që ata do të marrin.

Larry Varr reflekton mbi shokët që humbën jetën në luftë.

Ata janë vetëm disa nga mijëra emrat e të rënëve, në Memorialin e Luftës së Vietnamit.
Zoti Varr kaloi një vit në Vietnam si rreshter i Forcave Ajrore dhe më pas si i burgosur lufte.

Në të njëjtin vit, Chuck Hagel, i emëruar si Sekretar i Mbrojtjes, ishte komandant skuadre. Senatori John Kerry, i zgjedhur nga Presidenti Obama si Sekretar i Shtetit, ishte toger marine, që më vonë u bë kundërshtar i hapur i luftës.

Disa veteranë tani mendojnë se Vietnami ishte një luftë e panevojshme. Larry Varr thotë se përvoja në Vietnam mund të ndikojë tek puna e zotit Kerry dhe e zotit Hagel.

"Ishte mësimi më i rëndësishëm i jetës. Mësuam se si mund të rrjedhin ngjarjet kur bën atë që duhet dhe kur nuk i bën gjërat si duhet."

David Kroepsch dhe familja e tij vizitojnë memorialin, para varrimit të të atit në Varrezat Kombëtare në Arlington.

Babai i tij ka qenë një vit në Vietnam. David, edhe ai veteran lufte, foli për zotërinjtë Kerry dhe Hagel.

"Gjasat janë që të dy ata të jenë më të kujdesshëm lidhur me mundësinë e angazhimit të vendit në luftë, nisur nga përvojat e tyre. Mendoj se do të jenë të matur, dhe jo agresivë."

Pikëpamjet ushtarake të zotit Kerry dhe zotit Hagel mendohet se do të pasqyrojnë ato të Presidentit Obama. Disa analistë thonë se kjo nuk lë shumë hapësirë për debat konstruktiv.

James Carafano është oficer i ushtrisë në pension. Ai tani punon në Fondacionin Heritage.

"Më shqetësojnë njerëzit që shkojnë drejt së ardhmes duke e parë botën në mënyrë shumë të ngjashme, sepse ata përjashtojnë çdo pikëpamje që nuk përputhet me të tyren."

Anthony Cordesman ka punuar për sekretarë të mëparshëm të mbrojtjes. Ai thotë se këndvështrimet e zotit Kerry dhe Hagel janë formuar nga konfliktet e fundit në Irak, Afganistan dhe Ballkan.

"Nuk do të jetë filozofi, ajo që ata do të duhet të bëjnë do të jetë vetëm analizë ushtarake e pastër dhe e vendosur e rrezikut relativ. Kjo është diçka për të cilën Presidenti është i aftë, ashtu siç janë edhe dy sekretarët e propozuar prej tij."

Zoti John Kerry pason në postin e Sekretarit të Shtetit zonjën Hillary Clinton, ndërsa ish senatori Chuck Hagel u propozua si Sekretar i Mbrojtjes pas njoftimit për largimin e zotit Leon Panetta.

XS
SM
MD
LG