Lidhje

SHBA - Domethënia e fjalimeve mbi gjendjen e vendit


Në thelb, fjalimi mbi gjendjen e vendit kapërcen politikën dhe artin qeverisës.

Presidenti Barak Obama shkon sonte në Kongres për të raportuar para ligjvënësve, në prani të diplomatëve dhe të ftuarve të tjerë të shquar, mbi gjendjen e vendit dhe planin e tij për të çuar vendin përpara. Në këtë mënyrë, ai ecën në gjurmët e presidentëve të tjerë, të cilët e kanë përdorur një rast të tillë, të kërkuar nga Kushtetuta amerikane, në përpjekje për të bërë histori.

George Washington përhapi mesazhin e parë vjetor ekzekutiv në Kongres më 8 janar 1790. Neni i II-të i Kushtetutës Amerikane paraqet kompetencat dhe përgjegjësitë e kryeshefit ekzekutiv (presidentit) , dhe kjo përcakton që presidenti "nga koha në kohë duhet t'i japë informacion Kongresit mbi gjendjen e vendit dhe të rekomandojë masa që ai i gjykon të nevojshme dhe të përshtatshme". Shumica e pasardhësve të George Uashingtonit, raportet e tyre i kanë paraqitur me shkrim për t'u lexuar me zë të lartë nga një nëpunës i kongresit. Por me retë e luftës në Evropë që kërcënonin paqen në botë në vitin 1913, Presidenti Woodrow Wilson shkoi në Kongres për të ofruar personalisht mendimet dhe shqetësimet e tij.

Të gjithë presidentët që atëherë kanë ndjekur këtë shembull, dhe çka filloi si një mesazh nga një dege e qeverisë për një tjetër është kthyer në komunikim mes presidentit, popullit të Shteteve të Bashkuara dhe gjithë botës.

Presidenti James Monroe e përdori fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit më 1823 për të paralajmëruar vendet e Evropës ndaj synimeve koloniale dhe kundër ndërhyrjes në punët e kontinentit amerikan - kjo njihet si Doktrina Monroe. Abraham Lincoln i tha kombit në vitin 1862 se ai donte t'i jepte fund skllavërisë. Dhe në vitin 1941, Franklin Roosevelt shpalosi katër liritë themelore që njerëzit kudo në botë duhet të gëzojnë - Liria e fjalës; Liria e besimit; Liria nga varfëria; Liria nga frika.

Në thelb, megjithatë, fjalimi mbi gjendjen e vendit kapërcen politikën dhe artin e qeverisjes. Hartuesit e Kushtetutës e përfshinë mbajtjen e një fjalimi të tillë për të nxitur transparencën dhe llogaridhënien në qeveri. Sepse presidenti ka qasje në informata të shumta në punën komplekse të qeverisë, dhe është i detyruar të japë një vlerësim gjithëpërfshirës të gjendjes së përgjithshme të vendit dhe të marrëdhënieve të vendit me botën. Fjalimi gjithashtu flet për ndarjen e pushteteve në qeveri; ndërsa presidenti e përdor fjalimin për të të propozuar programe dhe nisma të reja, është Kongresi që vendos se si të veprohet. Dhe në fund të fundit, të dy degët janë të përgjegjshme për audiencën më të madhe të fjalës, që është populli amerikan.
XS
SM
MD
LG