Lidhje

Fjalimi i Presidentit mbi gjendjen e vendit


sotu
sotu
Presidenti Obama mbajti mbrëmë fjalimin mbi gjendjen e vendit, fjalimi i parë i mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë, gjatë të cilit ai preku një sërë çështjesh të rëndësishme për vendin. Fjalimi ishte jo shumë i gjatë, krahasur me fjalimet e mëparshme, por i mbushur me nisma dhe premtime, thirrje ligjvënësve për të vepruar dhe publikut për ta mbështetur atë.

Megjithëse presidenti foli për një sërë çështjesh, ashtu siç e the edhe ti, çështja kryesore, që mbizotëroi ishte ekonomia, megjithatë, presidednti theksoi vendet e punës, ligjet mbi dhunën nga armët, imigracionin, madje ai deklaroi se angazhimit amerikan në Afganistan po i vjen fundi.

Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, presidenti u përqëndrua në çështjet që votuesit thanë se ishin të rëndësishme për ta: armët, vendet e punës dhe lufta.

“Pas një dekade lufte të rëndë, burrat dhe gratë tona të guximshme në uniformë do të kthehen në atdhe”.

Presidenti tha se 34 mijë trupa, rreth gjysma e forcës aktuale në Afganistan, do të jetë kthyer në atdhe shkurtin e vitit të ardhshëm.
Kjo bën të mundur që Shtetet e Bashkuara të përfundojnë tërheqjen e plotë nga Afganistani brënda rreth 2 vjetësh, tha presidenti, ndërsa Washingtoni do të vazhdojë ta ndihmojë qeverinë e atij vendi, duke trejtuar dhe pajisur forcat afgane.

Disa republikanë, mes tyre anëtari i Kongresit Paul Brown nga shteti i Xhorxhias, thonë se tërheqja po zvarritet.

“Mendoj se ne duhet të tërhiqemi nga Afganistani sa më parë që të mundemi. Ne po shpenzojmë atje para që nuk i kemi dhe sinqerisht për një politikë të gabuar”.

Lidhur me vendet e punës, zoti Obama tha se bizneset amerikane kanë krijuar 6 milion vende pune, ndërsa konsumatorët po shpenzojnë përsëri.

“Është detyra e brezit tonë që të rindezim motorin e vërtetë të zhvillimit ekonomik të Amerikës, një klasë të mesme në rritje dhe të sukseshme”.

Çdo vit, anëtarë të Kongresit mbushin sallën e Dhomës së Përfaqësuesve për të dëgjuar presidentin. Të ftuarit ulen në platformën e katit të dytë. Jeta e disa prej të ftuarve në fjalimin e mbrëmshëm ishte prekur nga dhuna e armëve. Ata që simpatizohen me këtë kauzë kishin vënë fjongo të gjelbër, ndërsa presidenti këmbënguli që viktimat presin që Kongresi të veprojë mbi reformat e ligjit për armët.

“Ata meritojnë një votim”, tha presidenti.

Ekspertët thonë se presidentët shpesh i rishkruajnë fjalimet e përvitshme gati deri në momentin e fundit. Këtë vit pati një ndryshim të rëndësishëm pasi Koreja e Veriut kreu provë bërthamore një ditë para fjalimit.

“Provokime të këtij lloji që ne përjetuam mbrëmë vetëm do të izolojë këto vende”.

Lidhur me imigracionin, presidenti u prit me duartrokitje nga të dyja partitë politike. Ai bëri thirrje për një rrugë të ligjshme drejt qytetarisë amerikane për rreth 11 milionë imigrantët pa dokumenta në vend.
“Një rrugë, që përfshin kontrollin e së kaluarës së imigrantit, pagimin e taksave, një gjobë domethënëse, mësimin e anglishtes dhe pritjen në fund të rradhës, pas personave që përpiqen të vijnë në vendin tonë ligjërisht”.

Për herë të parë, përgjigja e republikanëve ndaj fjalimit të presidentit u dha në anglisht dhe në spanjisht.

Senatori Marco Rubio nga Florida tha se reforma e imigracionit duhet të fillojë me zbatimin e ligjit.

"Ne duhet të përmbushim premtimet e shkelura të së kaluarës: të përforcojmë kufijtë tanë dhe të zbatojmë ligjet tona”.

Ndryshe nga vitet e mëparshme, partia republikane në opozitë dha dy përgjigje. Senatori Rand Paul dha përgjigjen jozyrtare në emër të grupimit më konservator të repulikanëve, Tea Party. Ai theksoi nevojën që Uashingtoni të miratojë një buxhet të balancuar dhe të i bëri thirrje kongresit që të miratojë edhe një amendament kushtetutor për të kufizuar taksimin dhe shpenzimet. Zoti Paul bëri gjithashtu thirrje që t’i jepet fund ndihmave të huaja për ato vende, siç u shpreh ai, që djegin flamurin tonë dhe thërrasin, 'Vdekje Amerikës' si dhe të ndalohet ndihma ushtarake për radikalët islamistë, siç u shpreh ai, në Egjipt.

Ndërkohë, vetë presidenti Obama ka në plan ta shfrytëzojë menjëherë fjalimin e mbrëmshëm në dy mënyra: Ai do të takohet me një grup ndërpartiak ligjvënësish lidhur me imigracionin si dhe do të shkojë në tre shtete, Karolinën e Veriut, për të folur pikërisht rreth çështjeve për të cilat foli mbrëmë.
XS
SM
MD
LG