Lidhje

Festime në Tiranë për pavarësinë e Kosovës


Qindra të rinj dhe banorë të Tiranës, nxënës shkollash dhe studentë festuan sot në tubime të ndryshme pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Në sheshin “Skëndërbej” një grup të rinjsh u mblodhën me flamuj të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe vallëzuan me ritme të muzikës së mirënjohur shqiptare, që i këndon figurave historike dhe traditave vendase.

Sheshi “Skënderbej” ushtoi për disa orë nga këngët dhe valet, ndërkohë që festime akoma më të ndezura u zhvilluan në shëtitoren “Murat Toptani”. Grupe muzikore nga Shqipëria dhe Kosova luajtën kompozimet e tyre më të mira, duke gëzuar të rinjtë e shumtë që ishin mbledhur.



Autoritetet më të larta të shtetit shqiptar uruan popullin e Kosovës për pesëvjetorin e shpalljes së pavarësisë. Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ishte vetë në Prishtinë për të marrë pjesë në festimet e pavarësisë. Ndërsa kryeministri Sali Berisha i dërgoi një mesazh urimi kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, ku i përcolli urimet e qeverisë dhe qytetarëve të Shqipërisë për zhvillimin e modernizimin e mëtejshëm të saj dhe për lumturinë e prosperitetin e popullit të Kosovës.

Zoti Berisha shkruan se Republika e Kosovës është shndërruar e po shndërrohet përditë e më shumë në një shtet modern, me institucione të qëndrueshme e një shoqëri të lirë, që respekton të drejtat e liritë e qytetarit e të pakicave, një faktor i rëndësishëm paqeje e bashkëpunimi në rajon dhe po ecën me vendosmëri drejt integrimit euro-atlantik.
XS
SM
MD
LG