Lidhje

Përmirësime në “Kryeqytetin Zezak të Amerikës”


Për më shumë se një shekull, Harlemi ka qënë një prej distrikteve me popullsi më të dendur të Nju Jorkut. Ai ka qenë magnet për afrikano-amerikanët, por ka qenë gjithashtu një prej zonave më të varfëra dhe me më shumë krime. Sot Harlemi po përjeton një zhvillim ekonomik, kryesisht falë vërshimit të banorëve nga zona të tjera, të cilët tërhiqen nga strehimi më i lirë dhe rritja e klasës së mesme zezake. Por kjo prirje shoqërohet me një çmim.

Banorët shpesh i referohen Harlemit si “Kryeqyteti Zezak i Amerikës”. Por deri kohët e fundit, pjesë të mëdha të kësaj zone ishin të shkatërruara dhe si rrjedhojë suksesi për bizneset ishte i vështirë. Por kjo ka filluar të ndryshojë. Prej 14 vjetësh, zonja Nikoa Evans-Hendricks vazhdon të organizojë biznesmenët e vegjël dhe të reklamojë emrin e Harlemit.

“E kam parë Harlemin të evoluojë nga një tokë e harruar mbi Rrugën 96, ku askush nuk shikonte ndonjë vlerë, në një minierë floriri në Manhatan”.
Nga viti 2000 deri në 2010-tën, të ardhurat mesatare për familje në Harlem u rritën 30 për qind. Kjo ia bëri të mundur zonjës Seven Brown që të hapte një klinikë për kujdesin e lëkurës, biznes që në të kaluarën shihej si tepër i sofistikuar për këtë zonë.

“Ka qenë një përvojë shumë e mirë që jetoj dhe punoj prej një kohe të gjatë në të njëjtin komunitet. E keqja është se kam parë shumë biznese afrikano-amerikane, që mbyllen çdo ditë. Kohët e fundit kam numëruar 60 - 65 të tilla që janë mbyllur”.

Dyqane të ndryshme dhe kompani ndërtimi kanë përfituar nga lehtësitë e taksave dhe nisma të tjera për të bërë ndërtime në Harlem, duke i rritur qeratë për bizneset e vogla në një masë që ato nuk i përballojnë dot.
Dyqani i mobiljeve i zotit Murphy Scott ekziston prej më shumë se 40 vjetësh.

“Tani që nuk mund ta përballoj dot qeranë do të detyrohem ta mbyll biznesin. Rreth 20 dyqane janë mbyllur për këtë arsye”.

Banori i Harlemit, Hans Hageman dhe gruaja e tij Bernadette duan të bashkojnë pjesën e vjetër dhe të re të palestrës së tyre në biznesin personal, Brownstone Fitness. Ata shpresojnë të kontribuojnë për shëndetin e grave në Harlem, ku palestrat janë të ralla.

“Një prej aspekteve të biznesit në këtë zonë, veçanërisht ku ne jetojmë, është se fëmijët tanë shikojnë suksesin tonë dhe kjo është gjë e mirë. Por ata shikojnë gjithashtu vështirësitë me të cilat ndeshen pronarët e bizneseve të vogla”.

Se ç'drejtim do të marrë Harlemi, ku trashëgimia është e çmuar, por afrikano-amerikanët nuk përbëjnë më shumicë, kjo është një çështje e hapur. Shumë njerëz thonë se Harlemi në ndryshim, që vazhdon të nderojë të kaluarën e tij, do të jetë pozitiv si për bizneset ashtu edhe për jetën e banorëve.
XS
SM
MD
LG