Lidhje

Çfarë solli turneu i parë i Sekretarit Kerry?


Turneu i parë i Sekretarit amerikan të Shtetit John Kerry jashtë vendit bëri jehonë për disa çështje, por në pjesën më të madhe mbuloi tema të njohura me aleatët e vjetër evropianë të Shteteve të Bashkuara dhe Lindjes së Mesme. Korrespondenti Al Pessin në Londër analizon sesi udhëtimi u prit në dy rajonet dhe çfarë nënkupton ai për politikën e jashtme amerikane gjatë mandatit të dytë të administrates Obama.

Ndalesa e parë e zotit Kerry ishte në një territor të njohur për një sekretar amerikan shteti, Rruga Downing me numër 10, zyra e kryeministrit britanik.

Xenia Dormandy me organizatën Chatam House të Londrës thotë se ishte një paraqitje elegante e rolit të tij të ri në politikën amerikane me një forcë të butë, qasja e preferuar për presidentin Obama në çështjet globale.

“Amerika po zgjedh një përqasje tjetër. Kjo nuk është patjetër një politikë me më pak force, por përdorimi i forcës ndryshe. "

Sekretari Kerry paraqiti këtë përqasje tek aleatët evropianë në këtë turne dhe gjithashtu për konfliktin sirian në konferencën e Romës, duke njoftuar ndihmën e parë të drejtpërdrejtë amerikane për luftëtarët rebelë sirianë, por vetëm në ushqime dhe furnizime mjekësore.

“Jam shumë i bindur nga ajo çfarë kam dëgjuar këtu dhe nga ministra të tjerë të jashtëm, se rezultati i kësaj përpjekjeje do të ketë një ndikim në mundësinë e opozitës siriane për të arritur synimet e saj.”


Por udhëheqësit sirianë të opozitës u ankuan se ndihma nuk është e mjaftueshme për të ndryshuar situatën e dëshpëruar brenda në Siri… ose në kampet e refugjatëve në vendet fqinje që tani mbajnë më shumë se 1 milion njerëz.

Ndërsa zoti Kerry u drejtua për në Lindjen e Mesme, mospëlqimi i politikës amerikane ishte edhe më në qëndër, edhe pse ai takoi po ata aleatë tradicionalë, si Egjipti.

Shtetet e Bashkuara e shohin veten si kampionë të të drejtave të njeriut dhe udhëheqës në dhënien e ndihmave humanitare dhe ekonomike për të ndihmuar vendet në vështirësi. Por shumë në Lindjen e Mesme e shohin ndryshe politikën amerikane, përfshirë Said Sadek në Universitetin Amerikan të Kajros, i cili foli përmes Skype-it.

"Për sa kohë që ato nuk bien ndesh me interesat strategjike amerikane, ata nuk duan t’ja dinë se ç’ndodh me të vërtetë në brendësi të këtyre vendeve. Dhe kjo është pyetja morale në lidhje me politikën e jashtme amerikane në këtë zonë. Gjithshka që u intereson është rrjedha e lirë e naftës. "

Zyrtarët amerikanë mund të mos bien dakort me Sadekun për këtë, por ata mund të pajtohen me pikëpamjen e tij, se interesat strategjike amerikane në Lindjen e Mesme dhe në fakt në mbarë botën, mbeten të njëjta.

Kjo e çon Xenia Dormandy-n në përfundimin se sekretari i ri i Shtetit nuk do të sjellë ndryshime të mëdha në politikë.

“Do të shohim patjetër ndryshim në stil. Por substanca përcaktohet nga Shtëpia e Bardhë dhe më shumë se kush nga presidenti. Kështu që mendoj se substanca nuk do të ndryshojë aq shumë, por stili patjetër.”

Për sekretarin Kerry, janë përpara katër vjet me çështje të vështira dhe komplekse, shpesh të ndërthurura me armiqësinë e popullatës disa në vende. Përgjatë rrugës, ai do të kërkojë për disa mundësi për të avancuar interesat amerikane dhe ndoshta për të bërë diçka të mirë në botë.
XS
SM
MD
LG