Lidhje

Shkurtimet buxhetore prekin kontraktorët e Pentagonit


Shkurtimet buxhetore në Shtetet e Bashkuara, kanë si qëllim të pakësojnë shpenzimet qeveritare me 1.2 trilion dollarë për 10 vite. Shkurtimet kanë nisur të ndjehen nga firma kontraktore që punojnë me Departamentin e Mbrojtjes. Virginia Lindore, ku ndodhet flota detare më e madhe në vend, mund të hyjë në recession, nëse shkurtimet nisin të zbatohen siç janë parashikuar.

Davis Interiors është një kompani në Norfolk të Virginias, e cila prodhon mobilje dhe pajisje të veçanta për anijet e flotës amerikane. Administratorja e saj Whitny Metzger thtoë se kjo kompani po ndjen ndikimin e shkurtimit të buxhetit.

“Na duhet të shkurtojmë orët e punës për punonjësit. Thuajse të gjithë punonjësit do të punojnë vetëm katër ditë në javë. Disa prej tyre madje do të kenë vetëm tre ditë pune. Kemi parashikuar edhe pushime nga puna”

Kompanitë Davis Interiors janë kompani private në Virginian Lindore, që punojnë për bazën më të madhe detare në vend, si dhe për sektorë të tjerë ushtarakë. Në këto kompani janë të punësuar më shumë se 40 mijë njerëz.

Plani i Departamentit të Mbrojtjes për të dhënë leje të papaguar për rreth 90 mijë njerëz ende nuk ka ndikuar në ekonominë rajonale. Por pezullimi i kontratave të mirëmbajtjes për 11 anije të bazës së Norfolkut ka shkaktuar shqetësim tek kompanitë kontraktuese si Davis Interiors.

David Williams ka punuar me këtë kompani për 25 vite. Ai thotë se kjo është hera e dytë në dy vjet që shkurtimet buxhetore kanë shkaktuar ngadalësimin e papritur të punës.

“Jam shumë i shqetsuar sepse, po përpiqem të marr veten nga shkurtimet e para buxhetore.”

Whitney Metzger thotë se ndërsa luftrat jashtë vendit po mbyllen, kontraktorët e mbrojtjes në zonë e dinin se shpenzimet ushtarake do të pakësoheshin, por shkurtimet buxhetore të papritura janë të mëdha dhe mund t’i detyrojnë të mbyllin biznesin e tyre.

“”Nuk e dimë se çdo të ngjasë. Ne kemi kontrata që na janë dhënë dhe ne do të jemi të gatshëm t’i plotësojmë, por pas përfundimit të tyre, si pasojë e shkurtimeve buxhetore, nuk do të kemi më kontrata”.

Kontraktorët me sektorin e mbrojtjes në rajon janë të parët që ndjejnë ndikimin e shkurtimeve buxhetore, dhe nëse ata mbeten pa punë, ekonomistët parashikojnë se i gjithë shteti i Virginias shumë shpejt do të bjerë në recesion.
XS
SM
MD
LG