Lidhje

President Obama, takime në Kongres mbi buxhetin


Presidenti amerikan Barack Obama viziton Kongresin tri ditë radhazi këtë javë për bisedime me ligjvënësit - në një përpjekje të pazakontë që synon zgjidhjen e ngërçit mbi buxhetin - shpenzimet qeveritare, taksat dhe borxhin kombëtar.

Zoti Obama, gjatë mandatit të parë të tij katër-vjeçar, është angazhuar rrallë në diskutime të drejtpërdrejta mbi programin qeveritar me ligjvënësit, duke preferuar për të biseduar vetëm me udhëheqësit e Kongresit apo me zgjedhësit në takime në formë fushate në mbarë vendin.

Por javën e kaluar ai u takua me 12 senatorë republikanë gjatë një darke pune në një hotel në Uashington; pastaj ftoi për një drekë punë në Shtëpinë e Bardhë kundërshtarin e tij kryesor, ligjvënësin republikan Paul Ryan.

Të martën, presidenti - demokrat - u takua me grupin e senatorëve demokratë; sot ai takohet me republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve, dhe të enjten pritet të zhvillojë takime me demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe republikanët në senat.

Ndërkohë, kryetari i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Buxhetit, republikani Paul Ryan, ka paraqitur propozimin e tij për buxhetin e vitit 2014, që nëpërmjet shkrurtimeve synon të balancojë buxhetin në dhjetë vjet.

Ligjvënësi Ryan thotë se balancimi i buxhetit është një mjet për një ekonomie të shëndetshme dhe propozimi i tij pritet të miratohet nga Dhoma e Përfaqësuesve javën e ardhshme.

Demokratët e kritikuan planin e buxhetit duke e quajtur si të pakompromis, dhe se nuk pajtohem me përparësitë që plani përcakton, pasi do të dëmtonin klasën e mesme.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney tha se buxheti i propozuar nga ligjvënësi Ryan nuk përfshin ekuilibrin mes rritjes së taksave dhe uljes së shpenzimeve që administrata është duke këmbëngulur.

Analistët thonë se plani Ryan nuk ka asnjë shans për të kaluar në Senatin e kontrolluar nga demokratët, dhe se të dyja dhomat e Kongresit ka të ngjarë të miratojnë versionet e tyre, të cilat më pas do të duhet të barazohen që projekt buxheti të bëhet ligj.
XS
SM
MD
LG