Lidhje

Çështja e ligjit rreth martesave të homoseksualëve


Në Gjykatën e Lartë amerikane u paraqitën për të dytën ditë me radhë argumente pro dhe kundër martesave mes personave të së njëjtës gjini. Sot, argumentet kishin të bënin me ligjin federal të vitit 1996 që e përcakton martesën si lidhjen ndërmjet një burri dhe një gruaje.

Akti i Mbrojtjes së Martesës u mohon çifteve të së njëjtës gjini përfitime të caktuara federale, si pagesa të sigurimeve shoqërore kur njëri prej personave nuk jeton më, apo ulje taksash siç përfitojnë çiftet heteroseksuale. Gjykata është duke shqyrtuar nëse ky ligj i privon homoseksualët nga garancitë kushtetuese të mbrojtjes së barabartë.

Gjatë seancës së sotme, anëtarët konservatorë të Gjykatës, Anthony Kennedy, Antonin Scalia dhe John Roberts thanë se i shqetësonte vendimi i presidentit Barack Obama për të mos mbrojtur në gjykatë ligjin e miratuar nga Kongresi. Ata thanë se kjo vë në pikëpyetje gatishmërinë e tij për të mbrojtur ligjet e tjera të miratuara nga Kongresi dhe që i paraqiten Gjykatës.

Të martën, Gjykata dëgjoi argumentet për kushtetutshmërinë e një ligji të Kalifornisë që ndalon martesat mes homoseksualëve. Gjyqtarët shfaqën ngurrime për të marrë vendime përgjithësuese lidhur me martesat mes homoseksualëve.

Vendimet për të dyja çështjet pritet të merren deri në fund të qershorit.


DY ÇËSHTJE TË NGARKUARA EMOCIONALISHT

Dje, gjykatësit dëgjuan argumentet dhe ngritën pyetje në rastin e parë të dy çështjeve që lidhen me martesën e homoseksualëve dhe që mund të zhvendosë kuadrin ligjor dhe atmosferën politike në SHBA.

Njerëz të shumtë pro dhe kundër martesave të personave të të njëjtit seks ishin mbledhur pranë Gjykatës së Lartë, për të marrë pjesë në atë që mund të jetë një moment i rëndësishëm në luftën për të drejta të barabarta për homoseksualët amerikanë.

Çështja gjyqësore shqyrton ligjin e Kalifornisë që ndalon martesat e të njëjtit seks, i pari nga dy rastet që Gjykata e Lartë shqyrton gjatë kësaj jave dhe që mund të sqarojë të drejtën e çifteve të së njëjtës gjini për t’u lidhur në martesë.
Në mesin e atyre që mbështesin martesën e homoseksualëve është dhe kleriku

Darryl Kistler nga Kalifornia.

" Në kishën time kam shumë meshkuj dhe femra homoseksualë, anëtarë të familjes që janë homoseksualë dhe lezbike si dhe shumë miq të ngushtë. Meqënëse ata nuk janë këtu, unë ndihem sikur i kam me vete në zemër dhe jam këtu për të folur në emër të tyre dhe për të kërkuar të drejtat për ta."

Sondazhet e fundit tregojnë mbështetje në rritje për martesat e homoseksualëve në vend. Për momentin, vetëm nëntë shtete dhe Distrikti i Kolumbias i njohin martesat mes personave të së njëjtës gjini.

Por përkrahësit e martesës tradicionale ishin gjithashtu të shumtë para Gjykatës së Lartë dhe këmbëngulnin se martesa duhet të jetë vetëm midis një burri dhe një gruaje.

Ann Cohrs ishte në mesin e tyre.

"Ata mund të bëjnë atë që bëjnë. Ata mund të jetojnë në mënyrën që duan të jetojnë. Por nuk mund të kthejnë shoqërinë përmbys. Kjo është e gabuar."

Demonstruesit ishin paqësorë dhe përfshinin anëtarë të një kishe kundër homoseksualëve nga Kansasi.

"Kur këtë e bën Gjykata e Lartë, ky është hapi i fundit. Shkatërrimi i vendit është i afërt."

Brenda sallës së Gjykatës së Lartë, pyetjet për avokatët e të dyja palëve nga disa prej nëntë gjyqtarëve lanë të kuptohej se gjykata mund të mos marrë një vendim gjithëpërfshirës.

Në mesin e paditësve që sfiduan në gjykatë ligjin e Kalifornisë që ndalon martesën e homoseksualëve është Paul Katami, i cili dëshiron të martohet me të dashurin e tij.

"Është fjala që unë të mund të martohem me njeriun që dua dhe të kem të drejta të barabarta në marrëdhënien më të rëndësishme që unë njoh në jetë, dhe kjo është martesa."
Por kundërshtarët e martesave të homoseksualëve si avokati Andrew Pugno shpresojnë që Gjykata e Lartë të mos marrë një vendim që do t’i hapte rrugën këtyre martesave në të 50 shtetet.

"Një fitore e jona këtu do të thotë se çështja i kthehet te përfaqësuesit e zgjedhur të popullit, ku edhe e ka vendin ky debat."
XS
SM
MD
LG