Lidhje

Hapen bankat në Qipro


Bankat kudo në Qipro u rihapën sot, pas një periudhe prej afro dy javësh gjatë së cilës qëndruan të mbyllura për shkak të gjendjes kritike ekonomike të vendit. Depozituesit formuan radhë të gjata për të bërë veprime financiare me llogaritë e tyre.

Njerëzit u reshtuan para bankave, në trotuare dhe në rrugë, shumë kohë përpara se ato të hapnin dyert në mesditë, në pritje për të bërë veprime me llogaritë e tyre.

Por bankat do të rrinin hapur vetëm gjashtë orë dhe njerëzit do të lejohen të tërheqin jo më shumë se 383 dollarë në ditë nga llogaritë e tyre. Vizitorët që largohen nga ky ishull i Mesdheut mund të lëvizin jo më shumë se 3,831 dollarë në vende të tjera. Këto kufizimet të rrepta u vendosën për të parandaluar një tërheqje masive të parave nga bankat që mund të çonte në një falimentim të plotë financiar.

Duke filluar nga mbrëmë, masat e sigurisë ishin të rrepta, kur makinat e blinduara dërguan mijra euro nëpër banka, të cilat do të rifillonin nga puna.

Bankat e Qipros ishin mbyllur që nga 16 marsi, ndërsa qeveria negocionte kushtet e një pakete financiare shpëtimi prej 13 miliard dollarësh nga fqinjët evropianë, Banka Qendrore Evropiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Si pjesë e marrëveshjes, Qiproja ra dakord të konfiskonte 40 përqind ose më shumë nga llogaritë e mëdha bankare me më tepër se 130 mijë dollarë. Ky ishte çmimi i paketës financiare.

Marrëveshja parashikon edhe ristrukturimin e Bankës së Qipros, kredidhënësi më i madh i ishullit.

Kjo bankë do të marrë edhe një pjesë të aseteve të bankës së dytë më të madhe, Banka Popullore e Qipros, e cila po mbyllet.

Qiproja është vendi i pestë i Eurozonës që po ndihmohet me miliarda dollarë kredi shpëtimi për të shmangur falimentimin, pas Greqisë, Portugalisë, Irlandës dhe Spanjës.
XS
SM
MD
LG