Lidhje

Nuland, thirrje Kosovës dhe Serbisë të rikthehen në Bruksel


Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Viktoria Nuland u bëri thirrje të mërkurën Kosovës dhe Serbisë që të studojnë propozimet e diskutuara në takimin me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian dhe të rikthehen në Bruksel për të arritur një marrëveshje.

“Siç e bëri të ditur zonja Ashton, janë paraqitur disa propozime dhe hendeku mes të dy palëve është i ngushtë. Shtetet e Bashkuara e kanë mbështetur diplomacinë e zonjës Ashton, i kanë përshëndetur angazhimet serioze të të dyja palëve dhe tani u bëjmë thirrje të dyja palëve ta shfrytëzojnë këtë mundësi, të studiojnë propozimet që janë paraqitur dhe të rikthen në Bruksel të përgatitur për të arritur një marrëveshje,” tha zonja Nuland.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaci tha sot në Prishtinë se takimi i djeshëm në Bruksel ishte i gjatë dhe i rëndë. Pas kthimit nga Brukseli ai përsëriti qëndrimin se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë përgjegjësi ekzekutive.
Kosova tha ai do të ketë një sistem unik të drejtësisë dhe një polici me zinxhirë të njëjtë komandues. Beogradi kërkon një bashkësi komunash me kontroll mbi policinë, drejtësinë dhe planifikimin hapësinor.
Kryeministri Thaçi, tha se pala serbe ka kërkuar kohë për këshillime shtesë, ndërsa nënvizoi se procesi nuk mund të cilësohet si i dështuar.

"Shpresoj se Serbia do të reflektojë, të pranojë realitetin dhe me këtë, edhe marrëveshjen. Jam shumë i vetëdijshëm dhe e di se nuk janë vendime të lehta për asnjë vend dhe për asnjë lider. Por secili nga ne, qoftë në Prishtinë, qoftë në Beograd duhet të shikojë drejt së ardhmes, të mos mbetemi peng i së kaluarës. Te secili nga ne të dominojë arsyeja dhe guximi për vendim dhe arritje të marrëveshjes”, tha zoti Thaçi.
Kryeministri Thaçi tha se Kosova do të punojë me institucionet ndërkombëtare për shtrirjen e autoritetit të saj në veri dhe Serbia do të mund të luajë një rol pozitiv nëse pajtohet me marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se në veri do të ndodhë shpërbërja e plotë e të gjitha strukturave të paligjshme të sigurisë dhe se do të ketë lëvizje të lirë në gjithë territorin e Kosovës.
XS
SM
MD
LG