Lidhje

Qeveria miraton privatizimin e PTK-së


Një kompani gjermano amerikane është fituese e tenderit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës

Qeveria e Kosovës, miratoi sot privatizimin e 75 për qind të aksioneve të Postës dhe Telekomit të Kosovës. Ajo i dha afat katër muajsh kompanisë fituese që të paguajë shumën prej 277 milion eurosh, me çka do të përmbyllej procesi i shitjes së ndërmarrjes më fitimprurëse në Kosovë.

Javën e kaluar, komisioni qeveritar për privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, shpalli ofertën financiare të kompanisë gjermane "AXOS- capital", në bashkëpunim me “Najafi Companies”, nga Shtetet e Bashkuara, si ofertën më të mirë për shitjen e 75 për qind të aksioneve të kësaj ndërmarrjeje publike.

Autoritetet thanë se privatizimi i kësaj ndërmarrjeje është një shenjë e mirë për nxitjen e investimeve të huaja në Kosovë.

Ministri i Zhvillimit ekonomik të Kosovës, Besim Beqaj tha sot se me këtë proces garantohen vendet e punës për të gjithë punonjësit e kësaj ndërmarrjeje për tre vjet, ndërsa pasuritë e saj nuk do të tjetërsohen nga privatizuesi.

Procesi nuk është parë me sy të mirë nga organizatat sindikale dhe një pjesë e partive opozitare, që pohojnë se çmimi i shitjes është shumë i ultë.

Aktualisht kjo ndërmarrje ka mbi një milion përdorues të telefonisë celulare dhe asaj tokësore, ndërsa ofron edhe shërbime të internetit.

Procesi i privatizimit të kësaj ndërmarrjeje u rihap në verën e vitit të kaluar pas dështimit të tij në vjeshtën e vitit 2010, me gjithë kundërshtimin e një pjese të forcave politike në opozitë dhe organizatave sindikale që vlerësojnë se privatizimi i kësaj kompanie që është më fitimprurësja në Kosovë, do të duhej të ndodhte vetëm me një pajtim në shkallë të gjerë.

Privatizimi i PTK-së është mbështetur nga ambasadat e Gjermanisë Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së madhe në Prishtinë.

Në një deklaratë të përbashkët thuhet se me këtë veprim Kosova ka bërë sot një hap të rëndësishëm drejt forcimit të zhvillimit të saj ekonomik.

Privatizimi i PTK-së paraqet një mundësi të rëndësishme për revitalizimin e sektorit të teknologjisë informative dhe telekomunikimit dhe është thelbësor për rritjen ekonomike të Kosovës. Ambasadat e Republikës Federale të Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, dhe Shteteve të Bashkuara presin që qeveria të bëjë përparim të vazhdueshëm për të siguruar se të gjitha përpjekjet e ardhshme të Kosovës në privatizim janë transparente dhe në përputhshmëri me standardet ndërkombëtare dhe praktikat më të mira”, thuhet në deklaratë.
XS
SM
MD
LG