Lidhje

Detaje mbi bombat e Bostonit


Zyrtarët federalë rë rendit në SHBA kanë gjetur prova të rëndësishme nga dy shpërthimet vdekjeprurëse të së hënës, në maratonën e Bostonit. Shpërthimet, vetëm pak sekonda nga njëra-tjetra, vranë tre persona pranë vijës së finishit, duke përfshirë një djalë 8-vjeçar dhe një shtetas kinez. 176 të tjerë u plagosën.

Fotografi të publikuara sot nga FBI-ja tregojnë pjesë të dy bombave, duke përfshirë copa të shtrembëruara të një ene metalike, së bashku me disa tela dhe bateri. Hetuesit thonë se bombat ishin vendosur në çanta me ngjyrë të errët dhe gjasat janë që të ishin të përbëra prej tenxheresh me presion të mbushura me gozhdë dhe kushineta.

Ata u kanë kërkuar njerëzve të ofrojnë çdo informacion të mundshëm për të ndihmuar në gjetjen e autorëve të sulmit.

"Lista për të dyshuarit dhe për motivet mbetet e hapur. Gjëja e rëndësishme është se personi që bëri këtë është miku i dikujt, fqinji, kolegu apo i afërmi i dikujt. Ne po i kërkojmë të na telefonojë çdokujt që mund të ketë dëgjuar ndonjë person të flasë për maratonën, ose për datën 15 prill, në mënyrë të tillë që të bën të kuptosh se ai ose ajo mund të kryente goditjen. Dikush e di se kush e ka bërë këtë.''

Dy shpërthime, vetëm pak sekonda nga njëra-tjetra, vranë tre persona pranë vijës së finishit në Maratonën e Bostonit, duke përfshirë një djalë 8-vjeçar dhe një shtetas kinez. 176 të tjerë u plagosën, shumë prej të cilëve humbën gjymtyrë.

"Shumë prej tyre kanë plagë të rënda, kryesisht në pjesën e poshtme të trupit. Plagët janë shkaktuar nga efekti i shpërthimit të bombave, si dhe prej pjesësh të vogla metalike që kanë depërtuar në trupin e tyre, si gozhdë apo copëza të tjera metali që përmbanin bombat. Kishte dhe lëndime të tjera që ne po trajtojmë.''

Dr. George Velmahaus i quajti të plagosurit "njerëz të mahnitshëm" dhe tha se ishte prekur ndërsa dëgjonte disa prej viktimave që kishin humbur një këmbë të thonin se sa të lumtur ndiheshin që ishin gjallë.

Presidenti amerikan Barak Obama e quajti sulmin me bombë një "akt terrorizmi... i shëmtuar dhe prej frikacakësh." Ai urdhëroi që flamujt amerikanë të uleshin në gjysmë shtizë. Nesër, Presidenti do të marrë pjesë në një shërbim ndërfetar në Boston, për nder të viktimave.

Qytete në mbarë botën kanë rritur nivelin e sigurisë pas shpërthimeve. Në Britani, policia tha se po rishikon planet e sigurisë për Maratonën e Londrës të dielën, maratona e madhe ndërkombëtare e radhës.

XS
SM
MD
LG