Lidhje

Sekretari Kerry përgëzon Serbinë dhe Kosovën


Në një deklaratë, Sekretari amerikan i shtetit John Kerry tha se përgëzon Serbinë dhe Kosovën për arritjen e marrëveshjes në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kjo marrëveshje mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve, tha zoti Kerry, kërkoi kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët, dhe unë përshëndes qeveritë e Kosovës dhe Serbisë për marrjen e vendimeve të vështira që do t'i sjellin ato më afër qëllimeve të tyre të integrimit evropian.

Shtetet e Bashkuara, tha zoti Kerry në deklaratë, do të mbeten thellësisht të angazhuara për të parë popullin e Serbisë, Kosovës dhe gjithë rajonit të realizojnë aspiratat e integrimit të tyre në një Evropë të Lirë, të pandarë dhe në paqe.

Ai inkurajoi të dy vendet që të zbatojnë me shpejtësi dhe plotësisht të gjitha marrëveshjet e arritura deri më sot për një të ardhme më paqësore dhe të begatë.

Zoti Kerry përgëzoi zonjën Eshton për lehtësimin e bisedimeve midis kryeministrit serb Ivica Daçiç dhe Kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi. Roli udhëheqës dhe përkushtimi i saj ishin me rëndësi të dorës së parë për arritjen e kësaj marrëveshjeje të rëndësishme, tha Sekretari i Shtetit John Kerry në deklaratën e tij.
XS
SM
MD
LG