Lidhje

Dy vjetori i vrasjes së Osama bin Ladenit


Para dy vjetësh, Presidenti Barack Obama njoftoi vdekjen e Osama bin Ladenit nga operacioni i një ekipi amerikan forcash speciale në Abbottabad të Pakistanit. Sharon Behn e Zërit të Amerikës njofton nga Islamabadi se ndërsa disa pakistanezë e shikojnë atë si hero, shumë të tjerë shpresojnë që emri i tij të venitet me kalimin e kohës.

Jeta e Osama bin Ladenit në arrati vazhdoi për gati 10 vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara. Personi, që u bë simbol global i islamizmit ekstremist anti-perëndimor u gjet më në fund në Pakistan ku bënte një jetë plotësisht të mbyllur.

Qeveria e ka rrafshuar këtë banesë në Abbottabad, ku bin Ladeni fshihej, afër një baze ushtarake.

Por për disa banorë bin Ladeni vazhdon të jetë hero, mes tyre kuzhinieri Haji Mohammad Ali.

“Ai ishte njeri shumë i mirë, shumë njerëz janë të mirë, por ai ishte flamuri i islamizmit. Ai ishte njeri i mirë për islamizmin dhe për vëllezërit myslimanë. Ai i shërbeu fesë. Zoti i bëftë të gjithë njerëzit si ai”.

U deshën 10 vjet që Shtetet e Bashkuara ta gjenin bin Ladenin…

Dyqane si ky, që shesin video nuk e kanë këtë film popullor. Privatisht, pronarët e dyqaneve thonë se atyre iu bë presion nga qeveria.
Ndërsa Pakistani vazhdon luftën kundër terrorizmit, autori dhe analisti, Imtiaz Gul thotë se autoritetet nuk duan që kujtimi i bin Ladenit të shërbejë si një frymëzim ideologjik.

“Mendoj se po bëhen përpjekje të ndërgjegjshme që Osama bin Ladeni të mos lejohet të ngrihet përsëri si hero në sytë e disa njerëzve, si një ikonë e kryengritjes myslimane kundër Shteteve të Bashkuara. Prandaj, mendoj se gjëja më e mirë do të ishte që vetë koha ta venisë emrin e tij”.

Al Kaida dhe islamizmi militant nuk janë elementë popullorë mes shumicës së pakistanezëve, madje ata rrallë flasin rreth bin Ladenit. Por analistët thonë se lufta në Afganistan dhe sulmet me avion pa pilot në Pakistan kanë shtuar zemërimin e publikut ndaj Shteteve të Bashkuara.

Në Abbottabad, megjithëse autoritetet nuk po e kujtojnë Osama bin Ladenin, disa banorë po e bëjnë këtë. Në lagjen përreth ish banesës së kreut të al Kaidës të paktën 4 fëmijëve u është vënë emri Osama, që prej vdekjes së bin Ladenit.
XS
SM
MD
LG